Kosovë/ 99 mijë vaksinime antikovid, të martën nis vaksinimi masiv

PRISHTINË, 14 qershor/ATSH/ Në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë vijon procesi i vaksinimit. Në këtë sallë deri dje në mesditë ishin vaksinuar 250 persona, ndërsa në nivel vendi u kryen 650 vaksina.

Koordinatori i kësaj qendre të vaksinimit, Niman Bardhi tha se numri i përgjithshëm i të vaksinuarve që nga fillimi e deri tash ka shkuar në 99 mijë.

Sipas tij, të martën pritet të fillojë vaksinimi masiv në nivel vendi.

“Siç po shihni edhe sot është duke vazhduar procesi i vaksinimit në sallën “1 Tetori”. Po ashtu edhe në nivel vendi. Aktualisht në sallën “1 Tetori”, deri në këto çaste që ne po raportojmë, kemi të vaksinuar 250 persona, përderisa nëse flasim në nivel vendi, deri më tani kemi mbi 650 vaksina të dhëna, por nëse i referohemi totalit të përgjithshëm veç kemi arrite tek 99 mijë vaksina të aplikuara në nivel vendi…Për procesin e vaksinimit në masë, nga  15 qershori fillojmë komplet në nivel vendi”, tha ai.

Qytetarët e ftuar për vaksinim momentalisht janë duke marrë dy vaksinat kundër COVID-19, Pfizer dhe Astra Zeneca. /j.p/

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.