Koncerti/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit risjell repertorin e Fitnete Rexhës

TIRANË, 14 qershor /ATSH – B. Naska/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi javën e kaluar një koncert të njërës prej këngëtareve ikonë e që mbetet një nga zërat më të njohur dhe të dashur jo vetëm të trevave të Shqipërisë së Mesme, por të mbarë vendit, Fitnete Rexha.

Kjo shfaqje erdhi si premiera e parë e ciklit të koncerteve të Ansamblit Popullor “Gjerdani i artë” kushtuar kësaj artisteje dhe këtij zëri brilant, që në fakt nuk ishte vetëm një koncert por një faqe e rëndësishme e historisë së TKOBAP.

Nga institucioni i teatrit kjo shfaqje është vlerësuar edhe si “tërmet emocional, në një shfaqe tepër të veçantë, të mbushur me emocione të prekshme”.

Fakti interesant dhe bën optimist shumëkënd që jeta artistike po i rikthehet edhe njëherë tjetër normalitetit dhe se kjo është një arsye më e madhe për të vazhduar fuqishëm me organizime të projekteve të përmasave të tilla është fakti që numri i personave të cilët kanë ndjekur aktivitetin në faqen e rrjeteve sociale të TKOBAP arriti numrin e 27,183 personave online nga e gjithë bota. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.