Kadilli: Zgjedhjet brenda PD më keq se ato parlamentare; unë s’jam Basha, e pranoj rezultatin

TIRANË, 14 qershor /ATSH – I. Vata/ Kandidati për kryetar të PD-së Fatbardh Kadilli deklaroi sot se zgjedhjet në PD ishin më keq se ato parlamentare.

Në një komunikim me mediet, Kadilli tha se “jam krenar që në partinë time ndeza shkëndijën e parë të garës”.

“Më shumë se një garë ishte një sfidë. Falë kësaj sfide demokratët patën mundësinë të mos shkonin symbyllur drejt mandatit të 3. Kjo tregoi se opozita nuk është ekskluziviteti i askujt. Sot asnjë demokrat nuk mund të thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër. Ata që votuan dhe bojkotuan kanë dhënë mesazhe dhe kanë marrë përgjegjësi për zgjedhjen e tyre”, tha ai.

Në vijim, Kadilli falënderoi 41 mijë anëtarët që iu përgjigjën thirrjes.

“Nuk jam për të përligjur rezultatin, dhe as për të shprehur keqardhjen për fitore publicitare të Lulit, për atë flasin më mirë ato që patë vetë. Pabarazi mjetesh, burimesh njerëzore, financiare dhe koha shumë e shkurtër. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën dhe përdori administratën. Deputetë e kryetarë degësh që nuk mbajtën distancë etike. Patë të zvogëlohej lista e anëtarëve nga 100 mijë në 70 mijë. Pati demokratë që nuk gjenin emrin në listë për të votuar. Pati dhe fenomene të tjera të papranueshme. Të gjitha këto s’na bëjnë nder”, theksoi Kadilli.

Ai tha se “kjo garë na dha një mundësi që nuk u shfrytëzua. Ofruam garë, por jo standarde. Zgjedhjet brenda PD ishin më keq se ato mes partive politike, por nuk jam Basha, unë e pranoj rezultatin e pranoj vendimin e demokratëve”.

“Manifesti politik për ringritjen e PD është e vetmja gjë që kanë demokratët përpara. Unë nuk iki, nuk dorëzohem, nuk krijoj parti të re. Do të shpalos projektin e ringritjes”, tha Kadilli. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.