Integrimi në tregun e punës/ Qasja për arsimin profesional 68.3 % nga 53 % për arsimin e përgjithshëm

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se në dy mandatet e para të qeverisjes është bërë e mundur rritja me 32 % e nxënësve që ndjekin arsimin profesional në 35 shkollat profesionale në vend.

Denaj gjatë fjalës së saj në Kuvend teksa po diskutohej marrëveshja me Zvicrën për projektin “Aftësi për punë”, tha se po ashtu kemi nxitur edhe formimin profesional që i vjen në ndihmë tregut të punës.

“Kemi përfshirë 26 drejtime mësimore, 87 profile profesionale, në ato sektorë që edhe tregu i punës ka më tepër nevojë, konkretisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, mekanike, tekstile etj. Kemi realizuar diplomimin e mbi 100 mijë të rinjve të aftë për tregun e punës”, tha Denaj.

Shkalla e punësimit për personat që vijnë nga arsimi profesional, theksoi ajo, është më e lartë se sa ato të arsimit të përgjithshëm.

“Integrimi në tregun e punës për personat që vijnë nga arsimi profesional është 68.3 %, nga 53 % që është për ata që vijnë nga arsimi i përgjithshëm. Pra shanset për punësim janë më të larta, sepse edhe tregu i punës është i formatuar në këtë formë. Prandaj edhe programi “Aftësi për punë“ në fazën e tij të parë i ka ardhur në ndihmë pikërisht kësaj nevoje të tregut të punës dhe në fazën e dytë jemi duke e intensifikuar në një nivel më të lartë”, u shpreh ministrja.

Sipas Denaj, 51 % e të arsimuarve në arsimin profesional hyjnë në punë që në vitin e parë. “Ndaj mund të themi se ka një vëmendje të shtuar për arsimin profesional, sepse efektiviteti i masave të marra është konkret”, deklaroi ministrja.

Paga mesatare e personave që vijnë nga arsimi profesional është mesatarisht 430 dollarë.
Përfitues të fazës së parë të këtij programi, tha Denaj, janë 7100 nxënës dhe 1531 kursantë.

“E rëndësishme në këtë fazë ka qenë edhe ndërlidhja e arsimit profesional me biznesin. Kjo marrëveshje shikohet me përfitim për biznesin, ku gati 730 kompani janë bërë pjesë e këtij program në fazën e pare”, vijoi ministrja.

Marrëveshja e cila u shqyrtua sot në Kuvend parashikon dhënien e një granti në vlerë 9.6 milionë franga nga qeveria zvicerane dhe 1 milion franga për kontribut të palës shqiptare.

Përmes fazës së dytë të këtij program, do të zyrtarizohet marrëdhënia me punëdhënësin, do të ngrihet në një nivel bashkëkohor mësimdhënia duke implementuar mënyra të reja të të nxënësit.

Projekti do të mbështesë 11 ofrues në Shkodër, Tiranë, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Berat. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.