Ibrahimi raporton në Kuvend: Arbitrariteti në administrimin e karrierave të prokurorëve i përket historisë

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ndau sot në seancën e Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë të KLP-së për vitin 2020.

“Në vitin 2019 veprimtaria jonë u shenjua nga themelimi i Prokurorisë së Posaçme dhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Përveç këtyre arritjeve të spikatura, gjatë atij viti ne hodhëm themelet e meritokracisë në sistemin e prokurorisë duke miratuar rregulla nënligjore të zgjuara për identifikimin dhe individualizimin e rezultateve profesionale të prokurorëve dhe, çka është më e rëndësishme, përdorimin e këtyre rezultateve si kriter ekskluziv për të gjitha vendimet e Këshillit mbi karrierën e tyre”, tha ai.

Mbi atë bazë, shtoi Ibrahimi, “në vitin 2020, Këshilli zbatoi për herë të parë procedurat për ngritjen në detyrë dhe transferimin e prokurorëve. Ndonëse finalizimi i këtyre procedurave i kapërceu kufijtë kohorë të vitit 2020, që në fazën e zbatimit u bë e qartë për këdo, prokurorët në radhë të parë, se epoka e arbitraritetit, fshehtësisë dhe pasigurisë në administrimin e karrierave të prokurorëve i përket tashmë historisë. Ne fakt, të gjithë prokurorët e përfshirë në garë dhe vëzhguesit e jashtëm ishin në gjëndje të parashikonin me saktësi përfundimin e garës sepse kriteret e parashikuara nga ligji dhe zbatimi rigoroz e transparent i tyre nga Këshilli nuk linin asnjë hapësirë për të papritura. Finalizimi me sukses i këtyre procedurave do të vendosë një standard të ri e të lartë në mënyrën e administrimit të karrierave të prokurorëve duke konsoliduar në këtë mënyrë garantimin e kushtit mbi kushtet për suksesin e sistemit të prokurorisë”.

“Një tjetër moment i spikatur i veprimtarisë së Këshillit gjatë vitit 2020 ka qënë edhe emërimi i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky akt i Këshillit mundësoi fillimin e procesit të rëndësishëm të krijimit të Byrosë duke krijuar kështu kushtet për të pasur më shumë rezultate në punën e Prokurorisë së Posaçme tek e cila e kemi sytë dhe shpresat te gjithë”, theksoi ai.

“Vlen gjithashtu të përmendet komandimi i katër prokurorëve pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një kontribut i rëndësishëm i Këshillit për rritjen e kapaciteteve të këtij institucioni të ri të sistemit të drejtësisë, rezultatet e punës të së cilit pritet të ndihmojnë në drejtim të forcimit të profesionalizmit dhe integritetit të prokurorëve”, tha Ibrahimi.

Sa i takon bashkëpunimit me Kuvendin, ai veçoi faktin që “të gjitha rekomandimet e Rezolutës së miratuar më 25.06.2020 janë trajtuar me vëmendje maksimale nga Këshilli dhe sot që raportojmë ato janë përmbushur në masën më të madhe, pavarësisht vitit të vështirë që lamë pas”.

“Po kështu, gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli ka dhënë kontribute të spikatura për ndryshimet ligjore në fushën e drejtësisë bazuar në përvojën e drejtpërdrejtë të zbatimit të ligjeve në fjalë”, theksoi ai.

Në tërësi, shtoi Ibrahimi, “vendimmarrjet e Këshillit gjatë vitit 2020, kanë mishëruar më së miri parimet themelore të Reformës në Drejtësi. Mendoj se puna jonë e përditshme, e karakterizuar nga transparenca dhe rregullsia procedurale, ka ndihmuar për rehabilitimin e imazhit të sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të shqiptarëve të shteti i së drejtës, si një nga qëllimet më të rëndësishme për vendin tonë në këtë moment të historisë”.

Gjithashtu, tha ai, “KLP ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, duke realizuar në kohë dhe me saktësi pjesën përkatëse të detyrave”.

Kreu i KLP shprehu besimin se, “dy vitet e veprimtarisë së Këshillit kanë konsoliduar ekzistencën dhe funksionalitetin e këtij organi të ri të sistemit të drejtësisë duke krijuar kështu kushtet për suksesin e sistemit të prokurorisë në tërësi”.

“Jam besim plotë qe viti 2021 do të jetë viti i cili do të japë rezultate të prekshme sa i takon vlerësimit të profesionalizmit të prokurorëve, zhvillimit të karrierës së tyre bazuar në meritë dhe zbatimit të një regjimi disiplinor rezultatet e të cilit jo vetëm dekurajojnë kryerjen e shkeljeve disiplinore por, çka është më e rëndësishme, injektojnë standarde të reja etike e profesionale në punën e prokurorisë”, përfundoi ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.