Greqia dërgon 20 mijë vaksina antikovid në Shqipëri/ Diakopoulos për ATSH: Vendi i parë të cilit i dërgojmë vaksina

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Greqia solli sot në Shqipëri një dërgesë prej 20.000 vaksinash antikovid të kompanisë “AstraZeneca”.

Vaksinat u pritën mëngjesin e sotëm në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini si dhe nga ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippidou.

Vaksinat mbërritën në aeroportin e Rinasit me anë të një fluturimi privat dhe shoqëroheshin nga Alexandros Diakopoulos, drejtor i përgjithshëm për Ndihmën Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare Diakopoulos u shpreh se, dërgesa e vaksinave të sotme është e para që Greqia dërgon në mënyrë bilaterale në një vend tjetër.

Ai theksoi se këto vaksina mbërrijnë nga Mbrojtja Civile Greke.

“Sot kanë mbërritur 20 mijë vaksina. Kjo është dërgesa e parë që vjen nga Greqia në mënyrë bilaterale për çdo shtet. Shqipëria është e para dhe mendoj se kjo është e domethënëse dhe kjo përfaqëson diçka”, tha Diakopoulos.

“Shqipëria është shumë afër nesh, gjeografikisht, historikisht dhe etnikisht. Kështu që është shumë e rëndësishme dhe jemi shumë të kënaqur të kemi këtë dërgesë të parë me vaksina në këtë vend”, theksoi ai për ATSH.

I pyetur nëse në muajt në vijim do të ketë dërgesa të tjera vaksinash nga Greqia, Diakopoulos u shpreh se, “nuk e di, kjo varet nga disponueshmëria, sepse Greqia kontribuon nëpërmjet mekanizmit të COVAX dhe nëpërmjet qasjes së BE përmes “Team Europe”. Kjo është bilaterale dhe varet nga disponueshmëria”.

Nisur nga rënia e rasteve të infektimeve me COVID në Shqipëri dhe nga situata më e lehtësuar sa i përket pandemisë në Shqipëri ai u shpreh se Greqia do të lehtësojë Greqia kalimin e shqiptarëve në kufi

“Gradualisht kemi filluar të relaksojmë kontrollet dhe situata në Shqipëri është siç e dimë, edhe nga raportet, që po bëhet gjithnjë e më e mirë çdo ditë që kalon. Kështu që unë mendoj që në një pikë ne do të normalizojmë komplet situatën”, u shpreh Alexandros Diakopoulos, drejtor i përgjithshëm për Ndihmën Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Ministrja e Shëndetësisë, dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu nëpëmrjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi mbërritjen në aeroportin “Nënë Tereza” të 20 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”, dhuratë e  qeverisë së Greqisë për Shqipërinë, duke i shprehur mirënjohjen Greqisë për mbështetjen. “Qeveria shqiptare shpreh angazhimin për të vijuar pa u ndalur me planin e vaksinimit për mbrojtjen e jetës së çdo qytetari”, theksoi Manastirliu.

“Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 956,250 doza të vaksinës antikovid dhe janë kryer në total 836,430 doza, prej tyre 332,173 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës ndaj COVID-19”, theksoi Manastirliu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.