Ekonomia më konkurruese për thithjen e investime të huaja, sfida në periudhën 2021-2027

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar për konsultim publik Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve (SZHBI) për periudhën 2021-2027, përmes së cilës synohet zhvillimi i një ekonomie më konkurruese dhe novatore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se, “BIDS do të jetë mbështetje për sektorin privat, me angazhimin e rreth 9.6 miliardë lekësh dhe vënien në zbatim të skemave të financimit”.

Strategjia përmban disa nga shtyllat e programit zhvillimor dhe do të jetë platforma e ardhshme e mbështetjes për sipërmarrjen dhe investimet në vend.

“Projektstrategjia është në procesin e konsultimit publik deri në datën 26 qershor.

Ftojmë të gjitha palët e interesit të vijojnë të japin kontributin e tyre”, u shpreh Denaj.

Së bashku me biznesin dhe partnerët e tjerë qeveria shqiptare synon të zhvillojë më tej një ekonomi konkurruese, të drejtuar nga inovacioni dhe dixhitalizimi, për integrimin rajonal dhe europian.

Vizioni i kësaj strategjie është një ekonomi shqiptare konkurruese, e nxitur nga inovacioni dhe e bazuar në njohuri e cila krijon vende pune të reja dhe më cilësore, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron transformimi i zinxhirit të vlerave ndërkombëtare, me theksin mbi zhvillimin e qëndrueshëm, në integrimin europian dhe atë rajonal.

Fushat subjekt i ndërhyrjeve dhe objektivat e politikës kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve dhe ndërkombëtarizimin, zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme, sipërmarrjes dhe inovacionit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Strategji ka identifikuar disa nga mundësitë.

Tërheqja e projekteve në vendet e afërta:

Investitorët që operojnë në vendet e BE-së pritet që të përqendrojnë më shumë aktivitete në afërsi të vendit të tyre të origjinës, veçanërisht në zinxhirin e vlerave që lidhen me teknologjinë e lartë si pajisjet elektronike, makineritë dhe pajisjet që krijojnë mundësi për zhvillimin e industrive dhe tregjeve të reja.

Përfitimi nga diversifikimi i zinxhirit të vlerave ndërkombëtare

Ndër të tjera, në industri me teknologji të ulët si ajo e tekstileve dhe modës, por edhe në industri shërbimesh me vlerë më të lartë, shërbimet e biznesit, të teknologjisë së informacionit dhe ato financiare, kompanitë e mëdha ka të ngjarë të diversifikojnë aktivitetet e tyre dhe zinxhirët e furnizimit duke adoptuar zgjidhje dixhitale.

Përveç mundësive për investime të reja, ky trend ofron mundësi të mira për integrimin e NVM-ve lokale dhe sipërmarrësve në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare.

Ndërtimi i zinxhirit rajonal të vlerave:

Një tendencë tjetër e pritshme është një rritje e përsëritjes së zinxhirit të vlerave në nivel rajonal. Kjo tendencë luan një rol të rëndësishëm për industritë e përpunimit në rajon duke ofruar, ndër të tjera, perspektiva të reja për zhvillimin e zinxhirit të vlerave në sektorin e agropërpunimit.

Shfrytëzimi i mundësive që lidhen me kalimin në ekonominë e gjelbër dhe zinxhirë vlerash më të qëndrueshëm dhe qarkullues:

Kompanitë do të ndryshojnë gjithnjë e më shumë zinxhirët e furnizimit si përgjigje ndaj kërkesës së konsumatorit dhe qeverisë për procese më të qëndrueshme. Pavarësisht sfidave që paraqiten, veçanërisht në lidhje me nevojën e NVM-ve për t’u përshtatur me kërkesat e reja, kalimi në ekonominë e gjelbër siguron gjithashtu mundësi premtuese për investime dhe inovacion në të gjithë sektorët e industrisë. Ndërtimi i zinxhirëve qarkullues të vlerave dhe zhvendosja drejt një ekonomike qarkulluese siguron ndikime pozitive mjedisore, sociale dhe ekonomike.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.