Dita Botërore e dhuruesve vullnetarë të gjakut/ Meta: Inkurajoj qytetarët t’i bashkohen kauzës fisnike

TIRANË, 14 qershor /ATSH – I. Vata/ Në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe në kuadër të nismës “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të administratës së institucionit të Presidentit të Republikës, si edhe dhjetëra qytetarë, u solidarizuan sot me kauzën humane dhe dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve me talasemi dhe njerëzve që kanë nevojë jetike për të.

Me këtë rast, Presidenti Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, çmoi me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” pesë dhurues të rregullt të gjakut në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar si dhe në vlerësim të dedikimit, dhembshurisë dhe humanizmit të treguar për të ndryshuar e shpëtuar jetë njerëzish.

Gjatë dekorimit të Luljeta Hidrit, Albana Pergjinit, Aleksandër Markajt, Eglend Bicit dhe Artur Bakiut, Presidenti Meta vuri në dukje modelin që ata iu kanë ofruar të rinjve tanë, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit u shpreh se “është kënaqësinë e veçantë, të jem sot me ju, në këtë ditë kaq të rëndësishme, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut. Jam i lumtur të shoh të rinj e të reja, por edhe gjithë qytetarët, që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak në këtë ditë simbolike, kur falënderimi më i madh dhe më i ngrohtë shkon për dhuruesit vullnetarë. Situata e vështirë, e krijuar nga pandemia, vuri në sprovë të madhe të gjitha sistemet shëndetësore. Edhe në Shqipëri, u ndje fort mungesa e gjakut për shkak të mbylljes totale. Por, në sajë të dhuruesve vullnetarë të rregullt dhe të përgjigjes pozitive të shumë të rinjve e të rejave, u arrit të sigurohej gjak, veçanërisht për të sëmurët talasemikë dhe për rastet emergjente. Kjo përpjekje nxori në pah, gjatë kësaj krize, rolin vendimtar të dhuruesve vullnetarë, në sigurimin e gjakut të sigurt dhe të mjaftueshëm, si në kohë normale ashtu edhe në kohë krize. Duhet që secili, të mendohet për një moment, që gjaku që dhuron i jep dikujt tjetër mundësinë për të jetuar dhe ndoshta një ditë, ai “dikush” mund të jetë një i afërmi ynë, një mik, një familjar ose edhe ne vetë. Ndaj në këtë ditë, dëshiroj të falënderoj të gjitha organizatat dhe shoqatat që japin kontributin e tyre për kauzën e dhurimit të gjakut, duke mobilizuar e sensibilizuar qytetarët, për domosdoshmërinë e dhurimit”.

“Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut ju bëj thirrje dhe inkurajoj të gjithë qytetarët, por veçanërisht të rinjtë e të rejat, t’i bashkohen edhe më fort kësaj kauze fisnike dhe të bëhen dhurues të rregullt. Ju ftoj të gjithëve të mposhtim çdo lloj indiference dhe të ndërtojmë edhe më të fort solidaritetin, për të dhuruar gjak për të gjithë ata të cilët kanë nevojë!” – apeloi Meta.

Slogani i Ditës Botërore të Dhuruesve këtë vit thekson rëndësinë e rolit të dhuruesve vullnetarë për të “mbajtur botën gjallë”, nëpërmjet dhurimit të gjakut (“Give blood and keep the world beating”).

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.