COVID-19 – Novavax konfirmon efikasitetin e vaksinës me mbi 90%

UASHINGTON, 14 qershor /ATSH-AFP/ – Novavax konfirmoi sot se vaksina e saj antiCOVID-19 ishte efikase me më shumë se 90%, duke përfshirë këtu edhe kundër varianteve, pas një studimi të realizuar në rreth 30 000 persona në SHBA dhe Meksikë.

“Vaksina ka treguar një mbrojtje prej 100% kundër formave të moderuara dhe të ashpra të sëmundjes dhe 90,4% globalisht”, theksoi kompania bioteknologjike amerikane në një komunikatë duke shtuar se synonte të kërkonte një autorizim zyrtar për hedhjen në treg deri në fund të tremujorit të tretë 2021.

Novavax vlerëson se atëherë do të jetë në gjendje të prodhojë njëqind milionë doza në muaj, pastaj njëqind e pesëdhjetë milionë deri në fund të vitit.

“Novavax i është afruar objektivit të saj për t’iu përgjigjur kërkesës së vazhdueshme dhe themelore për shëndetin publik në botë për vaksinat e reja antiCOVID-19”, deklaroi Stanley Erck, presidenti i kompanisë.

Vaksina e Novavax – NVX-CoV2373 në terminologji zyrtare, përdor një teknologji ndryshe nga ajo e përdorur për vaksinat e autorizuara tashmë gjerësisht në botë. Kjo është një vaksinë e ashtuquajtur nën-unitare, me bazë të proteinave që aktivizojnë një përgjigje imunitare, pa virus.

Nryshe nga vaksinat e tjera, ato nuk kanë nevojë të ruhen në temperatura shumë të ftohta, por vetëm në 2 dhe 8 gradë Celsius, gjë që mund të mundësojë transportimin dhe administrimin më lehtë në vendet më pak të zhvilluara.

Më shumë se dy miliardë doza të vaksinave antiCOVID-19 janë administruar në botë, por pabarazitë janë shumë të mëdha mes kombeve./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.