Bankat likuide për financimin e ekonomisë/ Paraja në qarkullim u rrit me 10 miliardë lekë

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Politikat mbështetëse në ekonomi me likuiditet të stimuluar nga Banka e Shqipërisë e kanë rritur sasinë e parasë në qarkullim në nivele të konsiderueshme.

Në pesëmujorin e parë të vitit 2021 paraja në qarkullim shënoi një rritje prej rreth 10 miliardë lekë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, një nga përgjegjësitë kryesore të saj është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para të gatshme dhe sistemi bankar në vend është likuid dhe i mirëkapitalizuar për t’iu përgjigjur kërkesave të ekonomisë.

Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cila jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale, ashtu edhe në ato jotipike.

Situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu, gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë, ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.