Banka e Shqipërisë: Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme 2.7 miliardë lekë

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Për vitin 2021 bankat paguan 664 milionë lekë kontribut për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, që prej vitit 2018, kur bankat nisën të kontribuonin për këtë fond, shuma vjetore është rritur lehtë vit pas viti. Fondi ka arritur vlerën e rreth 2.7 miliardë lekëve.

Ligji parashikon që deri në vitin 2027, fondi të ketë vlerën e 0.5 % të detyrimeve të sektorit bankar. Mbi këtë bazë, objektivi i llogaritur nga Banka e Shqipërisë për t’u arritur në vitin 2027 është rreth 6.64 miliardë lekë. Aktualisht, objektivi është plotësuar pranë nivelit të 40 %, në linjë me parashikimet e ligjit dhe rregullores përkatëse.

Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.