Aktori Kastriot Çaushi feston 67-vjetorin

TIRANË, 14 qershor /ATSH – B. Naska/ Aktori i teatrit dhe kinematografisë shqiptare Kastriot Çaushi sot feston 67-vjetorin e lindjes. Ai lindi në Tepelenë më 14 qershor 1954. Në periudhën kohore 1973-1976 kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura për aktrim dhe pasi mbaroi studimet filloi punën po si aktor në trupën profesioniste të teatrit “Skampa” të Elbasanit vetëm një vit më vonë nga 1977, deri në vitin 1982.

Më 1982 u emërua pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën e Dramës. Në vitet 1997-2007 ka qenë edhe rektor i Akademisë së Arteve për dy mandate, ndërsa ka pasur edhe funksionin e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik në këtë akademi.

Aktori ka interpretuar në disa role në skenën e teatrit, por më i spikaturi, që ka lënë mbresa nga një interpretim pasionant ka qenë ai në rolin e Romeos në tragjedinë “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit vënë në skenë nga Teatri Popullor në vitin 1988.

Popullaritet dhe njohje më të madhe si aktor ai mori kryesisht nga rolet e interpretuara në kinematografi, ku edhe interpretoi me shumë sukses role kryesorë në 17 filma artistikë.

Debutimin në ekran e bëri në vitin 1976, ndërkohë që edhe ishte student, kur regjisori Kristaq Mitro i afroi rolin kryesor te filmi “Nusja dhe shtetrrethimi”.

Falë paraqitjes së tij të hijshme, portretit tërheqës dhe një loje të shkëlqyer aktoriale, në vitin 1980 arrin t’i japë frymë shëmbëlltyrës së veprës heroike të Heroit të Popullit, Vasil Laçi në filmin “Plumba Perandorit”, atentatorit të perandorit Vittore Emanuel II.

Suksesi i aktorit arrin gjithashtu edhe më pas, me një interpretim brilant, kur realizon figurën e Qemal Stafës në filmin “Qortimet e vjeshtës” në vitin 1981, rol me të cilin Kastriot Çaushi fitoi edhe kupën e Festivalit III të Filmit Shqiptar si aktori më i mirë për atë vit.

Afërsisht të kësaj prirjeje interpretative janë edhe dy role të tjera të rëndësishme të tij: Arturi tek “Apasionata” (1983) dhe Iliri në “Shirat e vjeshtës” (1984).

Kështu gjatë kësaj periudhe kohore Kastriot Caushi kishte arritur të japë në skenë me hijeshi dhe finesë tipin e intelektualit, guximtarit të ndershëm, por edhe në mes kundërshtish e dyshimesh përballë marrjes së një vendimi të vështirë.

Krejt ndryshe ndodhi me interpretimin në filmin “Dashuria e fundit” 1994 ku doli jashtë modelit të mëparshëm të një heroi, duke paraqitur në këtë film një figurë me mbartje negative dhe të rrezikshme, të pamëshirshëm si trafikant prostitutash.

Filmat më të njohur në karrierën e artistit janë:

Nusja dhe shtetrrethimi, (1976) Fatmiri

Radiostacioni, (1979) Partizani

Liri a vdekje, (1979) anëtar i çetës së Çerçizit

Mëngjeze të reja, (1980) Partizani

Plumba perandorit, (1980) Vasil Laci

Agimet e stinës së madhe, (1981) Gori Muzaka

Besa e kuqe, (1982) Kelmendi

Apasionata, (1983) Arturi

Shirat e vjeshtës, (1984) Iliri

Vendimi, (1984) Kujtimi

Tri ditë nga një jetë, (1986) Sandri

Flutura në kabinën time, (1988) i fejuari i Fluturës

Ngjyrat e moshës, (1990) Kristaqi

Dashuria e fundit, (1995) Trafikanti i prostitutave

Lule të kuqe, lule të zeza, (2003)

Dhimbja e dashurisë (2008) serial

Në kërkim të kujt (2009) serial

Aktori është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i madh i punës” nga Presidenti i Republikës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.