AIDSSH deklasifikon dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit për organizatën “Vatra”

TIRANË, 14 qershor /ATSH – I. Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikoi dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit për organizatën “Vatra”.

“Propaganda shqiptare përpiqet të njollosë politikën kombëtare të Partisë Komuniste Shqiptare”, thuhet në dosjen me tre vëllime për Vatrën, e survejuar për dekada nga Sigurimi i Shtetit, me mbi 800 faqe dokumentacion.

Organizata “Vatra” u zyrtarizua më 13 qershor 1912 në Boston të Amerikës. Për pak vite arriti të kishte të paktën 65 degë në të gjithë vendin. Organizata ishte e para që loboi për çështjen shqiptare pranë presidentit amerikan të kohës, Wilson.

“Vatra” mblodhi personalitete të mirënjohur rreth kauzës, që nga sekretari Fan Noli e botuesi i “Diellit” Konica, te Kristo Kirka, Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, Koço Kotta, Kolë Tromara e të tjerë.

Në vite, “Vatra” është treguar aktive për çështjen shqiptare dhe ka mbajtur lidhje të forta me tokën amë. Sot Federata Panshqiptare “Vatra”, më shumë se një shekull pas krijimit, vijon misionin e saj të ndihmës mes tyre dhe dashurisë për kombin, të mbrojtjes së të drejtës, dinjitetit njerëzor dhe interesave kombëtare të Shqipërisë.

Dosja mund të vihet në dispozicion të studiuesve, në përputhje me ligjin 45/2015 i ndryshuar dhe udhëzuesin për studiuesit e median. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.