4500 subjekte të fiskalizuara/ Procesi nis më herët se sa afati i përcaktuar

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Faza e parë e Fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, e cila nisi më 1 janar po ecën normalisht.

Sipas autoriteteve, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji. Deri më tani janë fiskalizuar mbi 4500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2 milionë fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot një nga bizneset që është përfshirë në këtë fazë të parë të kësaj reforme.

Ajo bëri të ditur se Administrata Tatimore do të mbështesë biznesin për të bërë të mundur zbatimin e procesit.

“Joana menaxhon një dyqan veshjesh në Tiranë dhe ka nisur të zbatojë procesin e Fiskalizimit, më herët se sa afati i përcaktuara nga ligji. Prej 2 muajsh ajo pret fatura të fiskalizuara dhe përdor zgjedhjet softuerike”, tha Denaj.

Për transaksionet biznes-biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato biznes-konsumator.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.