Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së/ Nishani: Nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani ngriti akuza për procesin e zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike, pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

“Sot duhet të ishte një ditë e rëndësishme së pari për Partinë Demokratike, por edhe për të gjithë shqiptarët. PD duhet të ishte e vetmja shpresë për të bërë të mundur daljen e shqiptarëve nga një krizë, që me gjasa do të vijë duke u thelluar dhe në katër vitet e ardhshme, nga një regjim që ka prishur çdo standard. Në këtë kontekst PD duhet të shihet si shpresa e shqiptarëve, por edhe për vetë demokratët, për të demonstruar që është mekanizmi i vetëm politik është i aftë jo vetëm të përballojë regjimin e bandave, regjimin e masakrës elektorale, por edhe të sjellë dhe një model krejt ndryshe me marrjen e pushtetit nga ana e saj. Për fat të keq sot kjo jo vetëm nuk u realizuar por dëshmoi të kundërtën. Sot kemi një maskaradë elektorale, më vjen keq ta them këtë sepse edhe unë jam përgjegjës si shumë demokratë të tjerë, kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të rrënuar PD-në”, tha Nishani.

Ai iu drejtua me një apel themeluesve të PD-së.

“Unë sot kam një mesazh për anëtarët, për themeluesit e PD-së, për rininë që duhet të jetë vija e parë e lidershipit dhe udhëheqjes së PD-së: do t’u them se të gjithë ata që kanë marrë përsipër që ta kthejnë PD në fasadë, kanë marrë përsipër një mision të pamundur. PD është ringritur nga hiri i djegies së vendit në ’97. Ka patur shumë sakrifica nga dita e themelimit të saj. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në, mund ta bëjnë një forcë pa energji”, u shpreh ai.

Nishani renditi edhe disa fakte mbi të cilat bazohet kur e konsideroi procesin maskaradë.

“Nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme. Kandidatët e tjerë, veç Bashës, nuk kanë pasur mundësi infrastrukturore. Drejtuesit e degëve lokale kanë refuzuar që të organizojnë takimet elektorale për kandidatët e tjerë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. Në Kavajë përfaqësuesi i kandidates Edit Harxhi është kërcënuar pasi denoncoi një rast të votimit disa herë. PD sot është në një rrezik të madh për ta kthyer në një aneks pa forcë, pa dinamizëm. Kjo është një betejë për demokracinë, shumica e demokratëve janë zemërthyer për këtë debat që kemi sot. Ne duhet të kishim debatin se si PD do të niste rrugën drejt modernizimit të saj, drejt bashkimit, të kthehej në një parti të këtij shekulli. Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët Basha e ka bërë brenda PD me anëtarët”, shtoi ai.

Sipas Nishanit, rezultati i zgjedhjeve është paracaktuar që në momentin që në mënyrë antistatutore u përjashtuan kandidatë për të garuar.

Sipas Nishanit, PD ka një sfidë më të madhe, sfidën për rezistencë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.