Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së/Gjana: Deri në orën 13.00, pjesëmarrja 31.3%. Lista e votimit të anëtarësisë s’ka asnjë ndryshim

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri të saj, ku në garë janë Lulzim Basha, i cili rikandidon dhe kërkon vetëbesimin nga ana e anëtarësisë për një mandatë të tretë, Edit Harxhi, Agron Shehaj, si dhe Fatbardh Kadilli.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri në orpn 13:00, ku tha se deri tani kanë votur 31,3% e anëtarësisë.

“E dhëna e pjesëmarrjes për orën 13.00 në shkallë vendi janë 23 mijë e 536 anëtarë që kanë votuar, diku tek 31.3% në raport me 75 mijë e 67 anëtarë që janë”- tha Gjana.

Sipas tij, procesi ka vazhduar normalisht, ndërkohë ka ndonjë zëvendësim të vëzhguesve të ndonjë prej kandidatëve në garë për arsye të ndryshme, probleme të tjera nuk kemi.

“Jemi përpjekur të mos krijojmë asnjë problem, për personat që janë vëzhgues të kandidatëve. Vetëm gjatë ditës së sotme, vetëm në tre orët e paradites, vetëm për llogari të kandidatit Shehaj, kemi ndërruar tre komisionerë në Lushnje. Kemi larguar Ermal Sefën me kërkesën e kandidatit, e kemi zëvendësuar me Ferdinad Zdravën po me kërkesë të kandidatit, kemi larguar Ferdindand Zdravën ,e kërkesë të kandidatit dhe e kemi zëvendësuar me Fabio Hoxhën po me kërkesë të kandidatit. Nëse kanë probleme me individët që i çojnë për përfaqësim, nuk u qëndrojnë apo nuk bëjnë ato që u kërkojnë kandidatët, është çështje e tyre. Nuk kemi lejuar asnjë njeri të shkelë asnjë prej rregullave dhe udhëzimeve që kemi dhënë. Më vjen keq që e kthejmë në një debat dhe një lojë politike”- tha Gjana.

Ai shpjegoj lidhur me publikimin në rrjete sociale të fotos ku është fotografuar vota, kryesisht votë për kryetarin në detyrë, Lulzim Basha, se “e kam konstatuar këtë në dy raste, nuk janë vota, është fleta e votimit që është publikuar, mbi të cilën njerëzit kanë bërë shënim dhe e kanë futur në rrjetet e tyre për të nxitur individët të votojnë për një kandidat ose për një tjetër, por nuk janë fotografime të votave brenda qendrës së votimit”. “Se ç’bëjnë individët nga jashtë qendrës së votimit është punë e tyre”- tha Gjana.

Ai informoi se, votimi në njësinë 5 është duke vazhduar shumë normalisht.

“Dua të falënderoj përfaqësuesen që u dërgua atje që në orën 11.00 Barbara Doda, e cila po tregon korrektësinë maksimale në ndjekjen e procesit për llogari të kolegut Shehaj i cili pati një përfaqësim në orët e mëngjesit me një përfaqësuese tjetër që u tregua problematike, fotografonte, filmonte, bërtiste, krijonte probleme brenda qendrës, ranë dakord ta zëvendësojnë, e kemi zëvendësuar dhe procesi vijon normalisht”- deklaroi Gjana.

Ai theksoi se, lista e votimit të anëtarësisë nuk ka asnjë ndryshim, asnjë shtesë sepse siç tha Gjana, “kemi dashur t’i qëndrojmë korrekt deklaratës së bërë nga fillimi”.

“75 mijë e 67 anëtarë kemi në sistemin elektronik të partisë dhe do të shtohen vetëm ata që do të shkojnë me kartë identiteti. Nuk ka absolutisht, ju garantoj për këtë, asnjë veprim të qëllimshëm të kësaj natyre. Normalisht, na dalin individë të veçantë që mund të kenë patur pozicione partie nëpër degë, n/kryetarë, sekretarë, etj, që u ka ikur emri nga sistemi, janë detyruar të shkojnë në familje, të marrin kartën të shkojnë të votojnë. Por, gjë të qëllimshme nuk ka. E them këtë me përgjegjësi të plotë”- deklaroi Gjana.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.