Zgjedhjet në PD/Gjana: Mungesa e emrit në listë, çështje teknike e paqëllimshme. Rezultati zyrtar nesër

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kryetarin e ri të saj, që kanë nisur në orën mëngjesin e së dielës dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votive.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri në orën 16.00, ku tha se kanë votuar 33 mijë e 47 anëtarë ose 44% e numrit total. Ndërsa bëri të ditur se, rezultati paraprak shpallet rreth mesnatës, rezultati zyrtar të hënën paradite.

Gjana tha se, procesi i votimit vijon normalisht. “Anëtarët më kartë anëtarësie nuk janë penguar të votojnë. Mungesa e emrit në listë, çështje teknike e paqëllimshme”- tha ai.

“Tirana ka 9 mijë e 821 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, në raport me 21 mijë anëtarë që ka Qarku i Tiranës, pjesëmarrja e votuesve në Tiranë është diku tek 46%. Nuk kemi probleme të tjera në vazhdim. Në 3-4 orët e fundit nuk ka patur më lëvizje të përfaqësuesve, nuk janë ndryshuar më”- u shpreh Gjana në një prononcim për mediat.

Ai bëri me dije edhe dy verifikimet që janë në qendrat e votimit. “Në Kombinat është paraqitur një, që me këto “Faceboook”-et na del një emër i njohur, nga këto mediat investigative, që ka shkuar, ka tentuar të votojë me pajisje. Është larguar në punë të vet. Shpresoj të mos ketë shkuar në ndonjë vend tjetër. Ndërkohë, që nga një nga përfaqësuesit e kandidatëve morëm një informacion që tre votues që kanë votuar në Sarandë, kanë votuar njëkohësisht edhe në Vlorë dhe në Gjirokastër. Nuk është e vërtetë, nuk rezulton që kanë votuar në Vlorë dhe në Gjirokastër. Kanë votuar vetëm në Sarandë. Tani po i kthejmë edhe përgjigjen zyrtare përfaqësuesit të kandidatit që na përcolli shqetësimin.”- tha Gjana

Gjana theksoi se, “është e vërtetë që ka njerëz, aktivistë, anëtar të PD që nuk e kanë emrin në listë për efekt të përpunimit të herë pas here në sistemet e IT të emrave. Ngaqë e kemi ditur këtë paraprakisht edhe kemi mbajtur këtë qëndrim; që nëse nuk rezulton emri në listë por disponon një kartë anëtarësie të mund të votosh me kartë anëtarësisë. Natyrisht u kërkojmë ndjesë që janë detyruar të votojnë kundrejt kartës së anëtarësisë sepse nuk kanë patur emrin në listë, por janë pengesa ose janë lëvizje të paqëllimshme, duke qenë të paqëllimshme prandaj kemi krijuar edhe një hapësirë tjetër në udhëzime. Sepse po të ishte një lëvizje, një heqje e qëllimshme, nuk u jepnim mundësinë që të votonin me kartën e identitetit dhe i pengonin. Nuk ka patur asnjë tentativë dhe asnjë qëllim për t’i penguar”.

Gjana u shpreh se, një e dhënë operative e rezultatit të zgjedhjeve do të merret diku tek 3 apo 4 orë pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit por, siç tha ai, “gjithmonë është një e dhënë operative, jo përfundimtare, nuk është rezultati përfundimtar”.

“Ne do të presim deri nga mesnata të gjithë degët që janë afër Tiranës, të presim të dorëzojnë materialet, do t’i mbyllim në zyrën e Komisionit të votimit. Kutitë e mbyllura që do të kenë brenda të gjithë matrialet e votimit. Degët që janë shumë larg, psh, Tropoja, Saranda, kolonja, etj, do t’i presim që t’i sjellin diku nga orët e para të mëngjesit, sepse edhe ata do të pushojnë 2-3 orë dhe do t’i sjellin. Porosia është që t’i shoqërojë kryetari i komisionit dhe cilido nga përfaqësuesit e kandidatëve që është i pranishëm në atë komision përkatës. Pasi të kenë mbërritur kutitë e fundit të nesërmen e orëve të para të mëngjesit, atëherë do të fillojmë hapjen e kutive, do të nxjerrim vetëm procesverbalet dhe do të hedhim në sistem vetëm procesverbalet, do të bëjmë shumatoren dhe pastaj do të komunikojmë fituesin zyrtar nesër paradite”- deklaroi Gjana.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.