Zgjedhjet në PD/Basha pas votimit: Proces unik i vlerave të demokratëve

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili po kërkon një mandat të tretë në krye të kësaj force politike pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, votoi sot në qendrën e ngritur pranë selisë së Partisë Demokratike.

Basha pas votimit, në një prononcim për mediet e cilësoi votimin për zgjedhjen e kreut të PD-së si një proces unik të vlerave të demokratëve përmes zgjedhjes sipas parimit një anëtar, një votë.

“Këto janë vlerat tona, janë vlerat e demokracisë, janë vlerat e shprehjes së lirë, të  konkurrencës dhe debatit. Me këto vlera ne e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me këto vlera do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, deklaroi ai.

Anëtarët e Partisë Demokratike votojnë sot për të zgjedhur kreun e ri të kësaj force politike.

Në garë janë edhe tre kandidatët, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD-së të cilët do u drejtohen kutive të votimit të vendosura në ambientet e selive të PD në gjithë Shqipërinë.

Procesi zgjedhor është hapur në orën 08.00 dhe do të mbyllet në orën 19.00 ku më pas do të nisë edhe procesi i numërimit që do të bëhet në qendrave të votimit.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.