Sofra Kolonjare, një ndalesë e domosdoshme për ata që dëshirojnë të eksplorojnë zonën, tashmë në aplikacionin “AgroTime AL”


TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Sofra Kolonjare është një ndër fermat agroturistike që mund të gjendet në aplikacionin “AgroTime AL” ,një ndalesë e domosdoshme për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë zonën e Kolonjës dhe të kënaqen me ushqimet karakteristike të kësaj krahine.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi u ndal sot në këtë bujtinë ku shpjegoi mbi mundësitë që kanë bujtinat dhe fermat agroturistike për të përfituar nga Skemat Kombëtare.

“Në Skemën Kombëtare ne kemi përfshirë agroturizmin dhe bujtinat vetëm për të bërë lidhjen e programit IPARS 2 me IPARD 3”, tha Ekonomi.

Përfaqësuesi i kësaj ferme agroturistike shprehet se në një sipërfaqe prej rreth 1 hektarë arrijnë të kultivojnë rreth 90 % të produkteve që ju nevojiten.

“Rreth 90% të produkteve që përdorim në tryezat tona i prodhojmë vet në fermën tonë prej rreth 1 hektarë. Kemi 7 dhoma ku mund të akomodohen rreth 22 persona. Po ashtu kemi rreth 90 tavolina për rezervimet me telefon”, shprehet ai.

Ata e shfrytëzuan periudhën e pandemisë kur kishte me pak rezervime për shkak të kufizimeve për të prodhuar gliko dhe reçel të llojeve të ndryshme.

Qeveria ka premtuar mbështetje financiare, ndërsa prej vitesh ka vendosur TVSH 6 % për këdo që ngre bujtina në kuadër të zhvillimit të agroturizmit.

Përveç Skemave Kombëtare dhe programeve të IPARD, qeveria do të japë 5 mijë euro për këdo që është në emigracion dhe që do të hapë shtëpinë e vjetër të gjyshit apo babait, për ta kthyer në një bujtinë, për të ndërtuar një agro-turizëm me produktet e zonës.

Po ashtu, do të përfitojë një amnisti fiskale direkt për kursimet e tij, mjafton mos jenë para krimi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.