Rezultati paraprak i zgjedhjeve në PD/Gjana: Basha ka marrë 81% të votave. Pjesëmarrja 54.7%

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana deklaroi mbrëmjen e së dielës rezultatin paraprak të zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Sipas rezultatit paraprak të zgjedhjeve në PD, kryetari në detyrë , Lulzim Basha rezulton fitues me 81% të votave të vlefshme.

Gjana theksoi se këto janë shifra operative paraprake sipas së cilave “pjesëmarrja e anëtarësisë ka qenë në nivelin 54.7% ose 41 mijë e 100 vota nga të cilat 40 674 kanë rezultuar vota të vlefshme”.

“Basha ka grumbulluar 32 mijë e 882 vota, ndjekur nga Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, Edith Harxhi me 991 vota dhe Fatbardh Kadilli me 763 vota”- deklaroi Gjana.

Gjana tha se, “ne presim që shumica e degëve do të dorëzojnë sonte materialet zgjedhor. Por degët që janë larg në shtrirje gjeografike si në Tropojë, Kolonjë, Skrapari etj, janë njoftuar që të sjellin nesër materialet zgjedhore, kur të ketë mbaruar ora policore 06:00 e mëngjesit dhe më pas komisioni do të vijojë me numërimin, do t’i regjistroj në sistem do të bëj përmbledhësen dhe 76 komisione të votimit dhe do të shpallë nesër rezultat zyrtare për kandidatin fitues të PD-së, në zgjedhjet e 13 qershor 2021”.

Procesi i votimit për kryetarin e ri në Partinë Demokratike, u  mbyll të dielën, zyrtarisht në orën 20:00.

Rreth 75 mijë anëtarë të PD-së iu drejtuan të dielën kutive të votimit në 76 qendra në gjithë Shqipërinë për zgjedhjen e kryetarit të të kësaj force politike.

Në garë ishin kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha dhe tre kandidatët, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Basha e cilësoi votimin për zgjedhjen e kreut të PD-së si një proces unik të vlerave të demokratëve përmes zgjedhjes sipas parimit një anëtar, një votë.

Ndërsa tre kandidatët e tjerë në garë denoncuan parregullsi gjatë këtij procesi.

Sipas tyre, në disa komisione nuk ishin lejuar vëzhguesit, në listat e votuesve është përgjysmuar anëtarësia dhe disa themelues partie janë penguar të votojnë me arsyetimin se nuk janë anëtarë aktivë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.