Regjistrimi i markës, një ndër faktorët kyç për të ndërtuar një kompani të suksesshme

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Marka ofron një mbrojtje të dyfishtë si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorët, prandaj regjistrimi i saj është një ndër faktorët kyç për të ndërtuar një kompani të suksesshme.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj apelon që sipërmarrjet të regjistrojnë markën e tyre, si një element kyç që mbron biznesin dhe siguron autenticitetin në treg.

Denaj ka sjellë në vëmendje, shembullin e Deborah Keçit që edhe pse e shkëputur nga kampionatet sportive profesioniste, ka gjetur formën që të kthejë pasionin në një konkurrim për sportistët profesionistë dhe amatorë, mbi moshën 18 vjeç.

“Me ambicien dhe dëshirën për të promovuar një jetë të shëndetshme, “Tirana Triathlon” është sot një markë e regjistruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale”- tha Denaj.

Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 4100 aplikime të individëve dhe bizneseve për regjistrimin e markës.
Kjo shifër tregon rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit për të mbrojtur të drejtat e pronësisë industriale.
Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, vijon të zhvillojë takime nëpër biznese dhe fushata ndërgjegjësuese, për rëndësinë e regjistrimit të markës.
Regjistrimi i markës është shtylla kryesore e ekonomive në mbarë botën. Ato ofrojnë mallra dhe shërbime, krijojnë inovacione të mëdha, vende pune, bëhen bizneset e së ardhmes.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.