Qendrën e Ndihmës Ligjore falas Shkodër/ 213 qytetarë kanë përfituar shërbime këtë vit

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bashkë me Limya Eltayeb, përfaqësuese e UNDP-së, Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner dhe Simone Ungersboeck, Drejtore e Zyrës Qendrore të Agjencisë Austriake për Zhvillim, inspektuan Qendrën e Ndihmës Ligjore falas në qytetin e Shkodrës, ku pamë nga afër ambientet dhe punën e kësaj Qendre që nga funksionimi i saj.

Gjonaj u shpreh se “falë bashkëpunimit me kryetarin e Gjykatës së Rrethit Shkodër, Arbër Çela, kjo Qendër ushtron aktivitetin e saj në ambientet e kësaj Gjykate, me qëllim aksesin e plotë nga qytetarët në drejtësi”.

Janë 213 qytetarë për këtë vit, që kanë përfituar nga shërbimet e ndihmës juridike falas parësore në Qendrën e Shkodrës.

“Vetëm përgjatë vitit 2021, 33 qytetarë të asistuar nga kjo Qendër, kanë përfituar ndihmë juridike falas dytësore me vendim gjykate”- tha Gjonaj.

Sipas saj, falë mbështetjes të UNDP Albania në bashkëpunim me  Austrian Development Agency, Qendra tashmë në administrim të Ministrisë së Drejtësisë ka filluar të tregojë rezultate shumë pozitive.

“Do të vijojmë të zgjerojmë ofrimin e ndihmës juridike falas për të gjithë qytetarët, në të gjithë vendin”- deklaroi Gjonaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.