Pavarësisht nga pandemia, rekord i ri përqendrimi i gazrave serrë në ajër

UASHINGTON, 13 qershor /ATSH-AFP/ – Pavarësisht nga pandemia e koronavirusit, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë në maj arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i matjeve 63 vjet më parë nga një observator në Hawai, paralajmëruan shkencëtarët.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Oqeanisë dhe Atmosferës (NOAA), në maj 2021, u tejkalua kufiri prej 419 pjesë për milion (ppm), njësia matëse e përdorur për të përcaktuar sasinë e ndotjes së ajrit.

Këto matje u morën në observatorin Mauna Loa në Hawa Ha, i vendosur në një vullkan, ku janë regjistruar që nga viti 1958.

Maji është zakonisht muaji me përmbajtjen më të lartë të dyoksidit të karbonit çdo vit.

Vitin e kaluar, në maj 2020, norma e regjistruar ishte 417 ppm.

“Nuk ka pasur asnjë shenjë të dallueshme në të dhënat e përçarjes ekonomike globale të shkaktuar nga pandemia e COVID-19”, tha institucioni.

“Pavarësisht dekadave të negociatave, komuniteti botëror nuk ka qenë në gjendje të ngadalësojë ndjeshëm, lëre më të ndryshojë, rritjet vjetore në nivelet atmosferike të dyoksidit të karbonit”, tha agjencia amerikane.

Nga ana tjetër, prova të tjera shkencore tregojnë se kjo normë nuk ishte arritur në të vërtetë për miliona vjet.

“Ky nivel është i krahasueshëm me atë që ishte midis 4,1 dhe 4,5 milionë vjet më parë, kur dyoksidi i karbonit ishte afër ose mbi 400 ppm”, tha agjencia në një raport.

Në atë kohë, niveli i detit ishte rreth njëzet metra më i lartë dhe pyjet e mëdha kishin pushtuar zonat e Arktikut, sipas studimeve./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.