Një vendparkim… një milion euro?!

HONG KONG, 13 qershor /ATSH-AFP/- Një hapësirë ​​e thjeshtë parkimi në një kompleks banimi luksoz në Hong Kong u shit për çmimin rekord prej një milion eurosh, sipas raportimit të medias lokale.

Kjo zonë me sipërfaqe 12,5 metra katrorë është e vendosur në një kompleks strehimi në Peak, rrethi më ekskluziv i qytetit, në një nga malet me pamje nga ishulli i Hong Kongut.

Ndërsa banorët më të pasur shpenzojnë miliona dollarë për të blerë shtëpinë e ëndrrave të tyre, miliona banorë po përpiqen të paguajnë qiranë në apartamentin e tyre të vogël, shpesh më të vogël se një vendparkim.

Sipas një raporti të botuar në vitin 2019 nga banka zvicerane UBS, 22 vjet të ardhura të një “punëtori të kualifikuar” janë të domosdoshme që ai të jetë në gjendje të përballojë një apartament prej 60 metrash katrorë, kundrejt 12 viteve dhjetë vjet më parë.

Një studim tjetër, nga i njëjti vit, vlerësoi çmimin mesatar të një prone në Hong Kong në gati një milion euro.

Në shkurt, një apartament i ri 313 metra katrorë, i përbërë nga pesë kate, u shit për ekuivalentin e 49 milionë eurove, një çmim rekord prej 156 000 euro për metër katror.

Tregu i pasurive të patundshme luksoze është sërish në rritje pas muajsh pasigurie për shkak të krizës politike që tronditi qytetin në 2019 dhe pandemisë COVID-19 që pasoi./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.