Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore të Ishmit: Hartohen protokollet për turizmin, hapim 29 qendrat verore

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet në qendrën shëndetësore të Ishmit, në Durrës, e cila po ndërtohet nga e para, pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kjo qendër u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe nuk mund të rehabilitohej, ndaj siç e premtuam, kjo qendër po ndërtohet e re, më e bukur dhe më e fortë, me mbështetjen e partnerëve tanë të qeverisë zvicerane, në kuadër të programit të rindërtimit. Qendra e re do të përfundojë dhe do të jetë funksionale brenda këtij sezoni turistik”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se qendra e Ishmit do të shërbejë për 8 mijë banorët e kësaj zone por edhe për turistët, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se 29 qendra shëndetësore verore do të hapen me 15 qershor.

“Përgatitemi për hapjen e qendrave shëndetësore verore. Dhe prej datës 15 të këtij muaji do të hapim 29 qendra shëndetësore verore përgjatë gjithë vijës bregdetare por edhe në zonat turistike malore”, deklaroi Manastirliu.

Nga Ishmi, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit janë finalizuar protokollet për sezonin turistik dhe apeloi për zbatimin rigoroz të tyre, me qëllim parandalimin e COVID-19.

“Kemi finalizuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit protokollet e reja shëndetësore anticovid sa i përket sezonit turistik. Dhe në këto protokolle janë përcaktuar të gjitha ato masa antiCovid, të cilat do të vijojnë të mbeten për të gjithë subjektet akomoduese, aktivitetet e biznesit, të bareve, restoranteve. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga Inspektoriati Shëndetësor dhe inspektoriatet e tjera të Task-Forcës, me synim për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se jemi në një situatë të mirë epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë u ka bërë apel sërish qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe vijojnë të respektojnë rregullat antiCovid.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.