Kadilli pas votimit: Ringritja fillon sot kur çdo anëtar merr përsipër përgjegjësitë e veta

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli votoi ditën e sotme në qendrën e votimit të ngritur pranë selisë së PD-së.

Pas votimit Kadilli u bëri thirrje demokratëve për pjesëmarrje në votim, ndërsa thekson se gara është e pabarabartë.

“Është një moment i rëndësishëm për PD dhe anëtarët e saj. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në votim, sepse e duam këtë parti dhe duam të ringrihet. Ringritja fillon sot kur çdo anëtar merr përsipër përgjegjësitë e veta. Është një garë që u mbyll siç u nis e pabarabartë, por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Ndeza kurajon. Ky është kontributi im i parë. Manifesti politik për ringritjen e PD-së do të jetësohet dita-ditës për të bërë për ta bërë këtë parti atë që ne të gjithë duam, të pastër të hapur të bashkuar”, tha Kadilli.

Procesi i vërtet, vijo ai, është fryma me të cilën do të dalin sot demokratët nga ky proces.

“PD dhe anëtarësia e saj kishin detyrimin për një reflektim shumë të madh. Është hera e parë që një forcë politike shtrëngohet në pak kohë që të reflektojë shumë”, deklaroi Kadilli.

Anëtarët e Partisë Demokratike votojnë sot për të zgjedhur kreun e ri të kësaj force politike.

Në garë janë kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha dhe tre kandidatët, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD-së të cilët do u drejtohen kutive të votimit të vendosura në ambientet e selive të PD në gjithë Shqipërinë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.