Ish-ambasadori Pojani për ATSH: Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, arritje e madhe në arenën ndërkombëtare

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ – Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe Belgjikë, Petraq Pojani e vlerëson si një moment shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Është një moment shumë i rëndësishëm që për herë të parë Shqipëria merr pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB”, tha ai në një prononcim për ATSH.

Ish-ambasadori Pojani, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së, u shpreh se, “për Shqipërinë është shumë e rëndësishme sepse Këshilli i Sigurimit ka anëtarë të përhershëm dhe pastaj të përkohshëm siç është rasti i Shqipërisë. Dhe sipas kontributeve të vendeve votohet në Asamble dhe zgjidhen. Ky është rasti i Shqipërisë që është votuar në Asamble si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit”.

“Në arenën ndërkombëtare kjo është një arritje shumë e madhe sigurisht, sepse nga Asambleja i bashkohen Këshillit të Sigurimit disa nga pjesëmarrësit e Asamblesë. Rasti i Shqipërisë është sigurisht i rëndësishëm pasi të rrallë janë ata vende që herë pas here marrin pjesë”, deklaron ish-ambasadori për ATSH.

“Arritje është vetë pjesëmarrja në Këshillin e Sigurimit dhe kjo bëhet sepse Shqipëria është një nga pjesëtarët aktivë dhe koontribues në mbledhjet e vazhdueshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është një meritë”, theksoi Pojani i cili ka qenë edhe këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork.

Ai u shpreh për ATSH se edhe Presidenca e OSBE-së nga Shqipëria vitin e shkuar është një kontribut direkt që i jep të drejtën Shqipërisë të jetë një pjesëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Petraq Pojani nga viti 1961 deri në vitin 1980 ka qenë anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së, në 1971-1973, këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork dhe në ’91-’92  ambasador i Shqipërisë në Francë, akredituar edhe në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Portugali dhe UNESKO.

Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, e votuar nga 175 vende anëtare, konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për vendin tonë.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së.

Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarët aktualë: Estoni, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizi dhe Vietnam. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.