Gara e çiklizmit në Korçë/ Policia merr masat, bllokon disa akse rrugore

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Në datat 14 dhe 15 qershor 2021, Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkinë Korçë, do të organizojnë aktivitetin “Kupa e Shqipërisë”, me pjesëmarrjen e 12 ekipeve shqiptare.

Për këtë garë policia e Korçës ka marrë një plan masash për garantimin e mbarëvajtjes së garave çiklistike, duke bllokuar disa segmente rrugore.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Korçës njofton se në kuadër dhe mbështetje të këtij aktiviteti, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, do të marrin masa sigurie duke bllokuar akset rrugore. Konkretisht, ditën e hënë, ora 17:00, do të bllokohet aksi rrugor Pogradec-Korçë në të dyja senset e lëvizjes.

Ndërsa ditën e martë, ora 10:00, aksi rrugor Korçë-Maliq-Plasë-Korçë do të jetë i bllokuar në të dyja senset e lëvizjes.

Policia e Korçës, kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe shmangien e lëvizjeve të panevojshme me mjet prej tyre, në këto segmente rrugore deri në përfundimin e këtij aktiviteti sportiv.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.