Fotoalbum mes emocionesh në familjen e madhe socialiste dje, sot dhe nesër

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga  Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së që u mbajt një ditë më parë në 30 vjetorin e themelimit të saj.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë fotoalbum mes emocionesh në familjen e madhe socialiste dje, sot dhe neser, ju uroj një të dielë të paqtë”, shprehet Rama.

Në nisje të punimeve të Kongresit u shfaq historia e formimit të PS dhe pikat kryesore të rrugëtimit të saj, përmes rrëfimit të disa prej figurave kryesore të saj në vite.

Përmes një videomesazhi, lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano tha se misioni i PS-së është për ta ngritur Shqipërinë në standardet e Bashkimit Evropian.  “Unë kam besim të plotë se me Edi Ramën dhe me bekimin e Zotit ju do ta përmbushni këtë objektiv historik. E gëzofshi përvjetorin e pjekurisë, le të vazhdojnë ditët dhe vitet e bardha për Shqipërinë dhe për brezat që vijnë. Rrofshi dhe qëllofshi gjithnjë në shenjë. Gëzuar”, tha Nano.

Gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të PS u përkujtua edhe ish-kryeministri i ‘Pajtimit Kombëtar’, Bashkim Fino cili u nda nga jeta pak muaj më parë, ku u transmetuan po ashtu një video me momentet e tij më të bukura në politikë. Vajza e tij, Megi Fino, e cila mbajti një fjalë që emocioni të gjithë të pranishmit, bëri me dije se do t’i bashkohet Partisë Socialiste.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi gjatë fjalës në Kongres tërheqjen nga të gjitha funksionet politike. Ai tha se nuk ka moment më të mirë për ta bërë këtë sesa 30-vjetori i PS-së, kur kjo forcë politike tashmë ka fituar mandatin e tretë qeverisës radhazi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.