Zgjedhjet në PD/ Salianji: Basha, fitore me diferencë të madhe votash

TIRANË, 12 qershor /ATSH – I. Vata/ Deputeti i zgjedhur i PD-së Ervin Salianji, komentoi zgjedhjet për kryetar në PD duke deklaruar në një emision televiziv se Basha do të ketë një fitore me diferencë të madhe votash.

Në lidhje me garën e PD-së, Salianji tha se “fakti se janë 4 kandidatë, tregon qartë se në PD ka garë, por edhe tejkalim të normave etike të një partie politike me ashpërsimin e gjuhës me akuzat që edhe kundërshtari politik ka qenë i kompleksuar që t’i bëjë apo t’i thotë”.

“PD ka demokraci të brendshme, ka garë madje mund të konkurrojnë për kryetar të PD edhe njerëz që në 30 vite nuk kanë pasur asnjë lidhje me PD, por mjafton të jenë në PD anëtar e të kenë ambicie mund të kandidojnë për postin e kryetarit”, tha Salianji.

Ai theksoi se Basha do të ketë një fitore me diferencë të madhe votash.

“Dita e nesërme është një ditë shumë e rëndësishme për PD për të treguar mbështetje pas një dëshpërimi që vjen pas masakrës zgjedhore apo deformimit në masë të vullnetit të zgjedhësve të bërë nga ana e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij. Pjesëmarrja e nesërme në votim, tregon mbështetje masive për PD. Ka një mbështetje masive ndaj Bashës dhe do të ketë një fitore me diferencë, por nga ana tjetër një pjesë e demokratëve mendojnë se një se duke qenë se është një fitore e sigurtë, mund të mos shkojnë të votojnë. I bëj thirrje kujtdo që të shkojë të marrë pjesë në votime, sepse është një ditë shumë e rëndësishme për PD dhe për të treguar forcën që ka kjo parti në momente kritike”, u shpreh Salianji. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.