Shqipëria, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB/ Bushati: Kulmim i diplomacisë shqiptare

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ “Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me votat e 175 vendeve nga 190 në total dhe me asnjë votë kundra, nuk është vetëm një kulmim i diplomacisë shqiptare, por është në fakt një ogur edhe për shtetin shqiptar”.

Kështu u shpreh në një intervistë televizive, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati.

Bushati tha se me gjithë këto vite që Shqipëria ka prezencë në OKB, tani më në fund tregojmë se kemi maturinë, kemi besueshmërinë, kemi sigurinë e gjithë vendeve të globit për të qenë në një forum aq të rëndësishëm dhe të shohim se nuk ka as edhe një votë kundra.

Kjo, vijoi ai, tregon në fakt edhe për një mbështetje që ka ndaj faktorit shqiptar, pra asnjë vend nuk ka qenë kundra Shqipërisë.

“Ashtu siç ishte edhe Presidenca e OSBE-së vitin e kaluar që tregon se Shqipëria ka një maturi, është një demokraci e stabilizuar, një vend i besueshëm për partnerët ndërkombëtarë dhe për një sërë vendesh të tjera. Këto janë forume shumë të rëndësishme që tregojnë se Shqipëria ndonëse një vend i vogël, është në pikën më të lartë të trajektores në demokraci”, tha ai. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.