“PS është këtu për të bërë shtetin”/ Rama: Mandati i tretë do përfshijë qytetarët në vendimmarrjet më të rëndësishme

TIRANË, 12 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kongresin e Partisë Socialiste se “shteti nuk është i Partisë Socialiste, por PS është këtu për të bërë shtetin”.

Në fjalën e tij, Rama u ndal në disa çështje madhore të mandatit të tretë. Kryeministri tha se, “ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, ndaj njerëzve të zakonshëm, fëmijëve të këtij vendi që me ushtrimin e mandatit të tretë të  sigurojmë një kapërcim historik”.

“Si e tillë, kjo fitore historike ka sjellë për ne një përgjegjësi historike, realizmin e një volumi të atillë reformash dhe punësh konkrete, që Shqipëria të ngjitet në majën ku e meritojnë shqiptarët: një vend me standardet e BE-së, ku liria dhe drejtësia të rrezatojnë përkatësinë europiane në realitetin e përditshëm të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët dhe të qytetarëve me shtetin”, tha Rama.

Rama tha se misioni ynë është Shqipëria kampion në rajon në inovacion, në energji, turizëm, bujqësi dhe shërbime publike me dinjitet ndërkombëtar ku Shqipëria është gjithnjë e para, por ku marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët strategjikë janë të forta dhe të dobishme reciprokisht.

Kjo, tha ai, është “Shqipëria 2030″ dhe ky është misioni ynë që mandatin e tretë ta çojmë para me një vetëdije të re në marrëdhëniet me rivalët politikë, por duke mos harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun në punën e përditshme të shumicës qeverisëse”.

Në vjeshtë Këshillimi i parë Kombëtar/ Mandati i tretë, hapje e re e PS-së ndaj njerëzve 

Rama tha se “mandati i tretë do të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të vendit duke i përfshirë ata në vendimmarrjet më të rëndësishme përmes një institucioni të ri, Këshillit Kombëtar”.

“Këshillimi kombëtar, duhet që populli të mos dëgjohet 1 herë në 4 vjet, por 1 herë në vit nga shumica qeverisëse. Çështjet me interes kombëtar do t’i ndajmë me popullin dhe do të këshillohemi me të gjithë qytetarët që do të duan të shprehen përmes Këshillit Kombëtar. Ky nuk është një ushtrim komunikimi ku ne flasim dhe njerëzit dëgjojnë, por institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e vendit. Të gjithë ata që duan të përfshihen po me shkrim të na thonë po apo jo për çka vlerësojnë ata në alternativa të mundshme”, tha Rama.

Ai theksoi se “këtë vjeshtë ne zhvillojmë Këshillimin e parë Kombëtar. Platforma e bashkëqeverisjes të ngrihet në nivel të ri dhe po ashtu ndërveprimi dixhital i qytetarit me institucionet”.

Rama tha se “një qeveri dhe shumicë qeverisëse që nuk i përgjigjet në kohë me qetësi çdo qytetari nuk e çon dot këtë vend në atë që Shqipëria e vitit 2030 meriton të jetë”.

Fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë

Kryeministri kërkoi që të bëhet pastrimi i gjakut të PS-së, qeverisë dhe administratës. “Për këtë duhet të hapemi më fort dhe më gjerë si parti dhe shumicë qeverisëse. Do të zhvillojmë një fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë”, tha ai.

“Po e deshëm vërtet Shqipërinë në majën për të cilën shqiptarët na rizgjodhën për të tretën herë rresht ta çojmë, duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë konkurrencës dhe meritës dhe kjo i takon të gjithëve ju”, tha Rama.

Unë, vijoi Rama, nuk kam asnjë motiv më të madh për të dhënë më shumë se deri më sot nga vetja, se sa ky i çlirimit të ministrive, të institucioneve, agjencive, bordeve etj nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë apo elektoratit, por godasin, cenojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS-së”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “nuk është diçka e bukur për t’u thënë që ta dëgjojë populli, por është vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtar i PS-së”.

“Hapat që kemi hedhur me rekrutimin e mësuesve, bluzave të bardha dhe shërbimit civil janë domethënëse krahasuar me nga jemi nisur, por janë të pamjaftueshme për t’u ngjitur në atë majë që duam. Ndaj ne duhet të mbështesim çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitët, nga injoranca, nga mbulesa politike në emrin e PS-së gjithmonë, të cilat e bëjnë flamurin e PS-së të duket si ‘leckat e gabit’ përballë qytetarëve që përballen me këtë lloj specie, që janë larg të qenit specie në zhdukje zyrtarësh dhe nëpunësish”, tha Rama.

Nisma “Gati për Shqipërinë”, potencial i jashtëzakonshëm për metamorfozë të administratës

Rama kërkoi që të hapen dyert e qeverisë që nga kabinetet e ministrave, të ministrive, të agjencive, të departamenteve, bordeve për vajza dhe djem të shkolluar jashtë shtetit që kanë arritur rezultate të larta dhe punojnë jashtë shtetit, por dhe brenda shtetit, që përballë dyerve të mbyllura dhe arrogantëve e parazitëve që u përplasin derën në fytyrë kërkojnë vetëm një shteg të ikin nga Shqipëria.

“Jo medoemos të kthejmë në Shqipëri për të punuar, ata që janë jashtë. Pandemia
na ka provuar se nuk ka rëndësi ku ndodhesh fizikisht për të punuar kudoqoftë që ti mundesh. Në mandatin e tretë kryejmë një metamorfozë të administratës, duke e kthyer në një administratë hibride ku prania fizike është joekskluzive, por e kombinuar me punën në distancë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se, “nisma ‘Gati për Shqipërinë’ që e nisëm vetëm si një test për të matur pulsin e qytetarëve të shkolluar jashtë vendit, po na provon çdo ditë se falë edhe mandatit të tretë që ka krijuar frymëmarrje të re si çdo fillim i ri dhe falë këshillës së madhe të tyre për të dhënë kontribut potencial për Shqipërinë, mund të integrojmë të shkolluarit dhe të punësuarit jashtë në gjithë piramidën e shtetit tonë. Ky është një potencial i jashtëzakonshëm nëse ne e bëjmë seriozisht. Nëse ne me forcën e shembullit tonë u provojmë atyre dhe gjthë shqiptarëve se e kemi shumë seriozisht”, shtoi Rama.

30-vjetori i PS-së/ Me 5 194 622 vota në 9 palë zgjedhje, PS partia më e votuar në historinë e shqiptarëve

Në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, Rama u shpreh se “takimi i sotëm ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30-të, por edhe shijen e veçantë të fitores së zgjedhjeve që sapo për herë të tretë radhazi”.

“Faleminderit të gjithë atyre që punuan fort për këtë arritje dhe shkruan një faqe kaq të veçantë në historinë e familjes sonë të madhe politike, por faleminderit dhe të gjithë atyre që këto 30 vite i dhanë frymë, energji, besim PS-së! Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat, tiparet themelore të një fuqie të madhe ndryshimi dhe e nxorën PS-në në rrugën e transformimit të Shqipërisë këtu e 30 vite më parë! Faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e ‘vrava’ dhe pastaj e rigjeta të rilindur në respektin e vëmendjen e ndërsjellë ndaj njeri-tjetrit!” – tha Rama.

Kryeministri shprehu falënderime edhe për ata që në emër të PS-së i shërbyen vendit në 30 vite, Kuvendit, qeverisë, apo në institucionet qendrore dhe vendore të vendit tonë.

“Mbi të gjitha faleminderit gjyshërve dhe gjysheve, burrave dhe grave anembanë Shqipërisë që në 3 dekada shkruan emrin e tyre në anëtarësinë e kësaj familje dhe kontribuuan vullnetarisht në një rrugë ndryshimesh të mëdha e arritjesh domethënëse ku kemi fituar, humbur, ngjitur, rrëzuar, ringritur dhe kemi vazhduar të ngjitemi bashkë. U prehshin në paqe të gjithë ata që nuk jetojnë më, nga socialistët në këndin më të largët të Shqipërisë deri te Bashkimi, shoku im i paharrueshëm që do të vijojë të jetë me ne, jo vetëm në kujtimet tona, por edhe përmes vajzës së tij të mençur e shembullore. Faleminderit Megi për fjalët e tua dhe e besoj që atje lart Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur”, vijoi Rama.

“Faleminderit të gjithë atyre që në 3 dekada, 5 194 622 vota në 9 palë zgjedhje kombëtare si partia më e votuar në historinë e shqiptarëve, na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të drejtimit të vendit mbas vitit tragjik 1997 dhe vitit 2013 kur llogaritë e shtetit ishin për faqe të zezë. Faleminderit gjithë socialistëve që deri në 2005 i kanë dhënë PS-së privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes të shqiptarëve që bashkë kemi arritur dhe prej vitit 2009 kemi arritur sot në nivelin e misionit historik të Shqipërisë. Ndjesë kujtdo që na ka dhënë këtë besim të madh dhe është ndjerë i mbetur pas, i mënjanuar dhe lënduar dhe mirënjohje për secilin që pavarësisht se nuk është ndjerë mirë në një moment a një tjetër, nuk është larguar, as tërhequr, por ka vazhduar të më mbështesë dhe të kontribuojë në fitoret e PS-së dhe betejat e saj, që jam përpjekur t’i kthej në fitore për Shqipërinë”, shtoi Rama.

Rama: Kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit me PD-në në interes të të gjithë shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në respekt të të gjithë atyre që kanë zgjedhur PD, “ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.

“Në raport me misionin tonë të Shqipërisë së 2030, dhe në raport me sfidat monumentale të këtij misioni, mund t’i mendosh të gjitha këto dhe nuk të del kohë e mend të arrish deri te politika, dhe jo më të përballesh në realitet dhe punët e përditshme dhe të gjesh kohë pastaj të merresh edhe me politikë”, tha Rama.

“Dhe këtu me politikë kam parasysh jo politikën në vetvete, jo artin për ta bërë të mundshmen të pamundur, kam parasysh politikën e ditës shqiptare 30 vjet. Kam parasysh bamin dhe bumin, kam parasysh hamin dhe humin, kam parasysh tamin dhe tamtamin e përditshëm që ua ka bërë shqiptarëve politikën një shejtan që u trazon edhe gjumin, pasi u ka nxirë gjithë ditën. Kjo dallavere e pambarimtë nuk është më për ne. Nëse ne duam t’i mbarojmë punët e stërmëdha që duhen bërë me se s’bën për ta ngjitur Shqipërinë në atë majë ku ky popull pret prej 30 vitesh ta shohë, dhe me besoni se as për 30 vjet të tjera nuk mbërrihet duke harxhuar 30 herë më shumë energji për bamin e për bumin sesa për punë e jo për gjumë. E që është shumë më e lehtë ta thuash, sepse bami sjell bumin, hami provokon humin, rrushi imiton rrushin, tenxherja do kapakun, por ne duhet medoemos ta bëjmë, me durim me shumë durim duke u përqendruar tek populli dhe tek punët që do të bëjmë çdo ditë për Shqipërinë”, theksoi Rama.

“Duhet t’i ikim sherreve, t’i shmangemi konfliktit, duhet të heqim dorë fare, t’i lëmë kundërakuzat kur na akuzojnë. Fushata ka mbaruar. PS ka fituar dhe PS ka fituar për të pasur 4 vite kohë duke bërë atë që do të bëjë dhe tani që ka fituar duke bërë atë që do bëjë duhet të bëjë atë që ka thënë që të fitojë Shqipëria dhe që duke fituar Shqipëria, PS do të fitojë përsëri, e përsëri, dhe përsëri”, tha ai.

Rama shtoi se, “ç’na duhet ne se çfarë bën Partia Demokratike?”.

“Ç’punë kemi ne sesi i bën apo nuk i bën zgjedhjet brenda saj? Sesi kremton, fitoren e zgjedhjeve të lira pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura pasi votat u numëruan. Çfarë na intereson ne se di apo nuk di PD, si e qysh ta lidhim kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit, që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit? Ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh, do të korrësh, thotë populli dhe kush bën sherr e shamata, sherrit do i shoh sherrin dhe shamatës do t’i dëgjojë shamatën”, tha Rama.

“Po ne, jo ne sepse ne na janë vrarë veshët, por ne sepse Shqipëria, veç për sherr e shamata s’ka kohë dhe s’ka energji për të humbur. Duhet që tërë kohën dhe energjinë ta shpenzojmë që t’u kthejmë shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë, sepse është e vërtetë se është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Është shumë e rrallë në historinë  e zgjedhjeve në Europë, por nuk është si Kupa e Kampionëve, as si Kupa e Botës, ku fiton kupën e arrite, e mbarove, more dhe kupën, edhe ia dole. Kur fiton zgjedhjet vetëm more të drejtën që të shërbesh dhe thjesht t’u dha mundësia që të vazhdosh luftën për ata që të japin atë të drejtë. Kështu që me PD ne do të debatojmë sa të mundemi, kur të mundemi për politika që i duhen vendit. Ndërsa atë politikë që e ka ezauruar vendin nga nervat ne do ta mbanim në distancë higjienike nga vetja, në distancë higjienike kudo ku na shfaqet”, tha Rama.

“Nuk është punë për ne, ka plot që mund ta ushtrojnë atë lloj politike, ka plot që mund t’i furnizojnë me atë lloj politike klubet mediatike dhe gjitha kanalet dhe portalet. Ne kemi kaq shumë sfida dhe kemi marrë përsipër një gjë kaq të madhe, sa një fije e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit në fund të këtij mandati të tretë. Një fije shumë e hollë”, tha ai.

Në vijim, Rama theksoi se “opozitën ne nuk e zgjedhim vetë, e zgjedh populli dhe në respekt të të gjithë atyre që kanë zgjedhur PD ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve, sepse hallet, problemet, shpresat dhe hallet e tyre nuk janë të ndara në halle të majta dhe në halle të djathta, probleme të purpurta apo probleme blu, janë njësoj, njësoj njerëzore, siç janë njësoj njerëzore shpresat dhe ëndrrat e të gjithë atyre”.

“Duke jetuar të ndarë në sherrin e pandalur ne thuajse e kemi harruar njerëzoren dhe shqiptaren në të gjithë mexhelisin dhe betejat politike, por jo vetëm. Ata që organizojnë cirqet e mexhelisit kemi infektuar tërë dynjanë, kemi futur në çdo shtëpi dhe mbi të gjitha kemi dhënë në sytë e çdo fëmije shembullin më të keq të mundshëm, duke bërë në publik atë, apo ato gjëra që në shtëpi prindi i thotë fëmijës kjo nuk bëhet, kjo nuk bëhet, kjo nuk bëhet, dhe prandaj njerëzit s’kanë fakt se politika ju duket si punë politikanësh, ndërsa politikanët si punë hajdutësh dhe hajvanësh. Jo, ne jemi të gjithë njerëzit dhe të gjithë jemi shqiptarë. Dhe si njerëz dhe shqiptarë do të bëjmë më të mirën që politika të jetë e mirë me njerëzit dhe të jetë e mira më e mundshme për Shqipërinë. Ndërsa ne socialistët jemi njerëz dhe shqiptarë, por që kemi një fuqi të madhe në dorë për Shqipërinë, që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe prandaj shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe jo pak prej atyre që nuk na votojnë thonë: o e bëjnë këta, o ky vend nuk bëhet. Dhe pra, le t’u japim shqiptarëve provën se kanë të drejtë kur e thonë këtë. Duke e bërë këtë vend shtet të denjë europian, që dhe si njerëz të ndihemi mirë nesër përpara fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre, të cilët nëse ne do të bëjmë sot atë që duhet, nesër do ta duan Shqipërinë jo vetëm prej gjaku, prej bukurive dhe historive të saj, por dhe kushtet në të cilat ata jetojnë këtu në Shqipëri. Kjo është sfida dhe kjo është PS për mandatin e tretë”, tha ai.

Largimi i Gramoz Ruçit nga politika/ Rama: Sfidë për mua dhe PS-në 

Kryeministri Rama shprehu një falënderim të posaçëm për Gramoz Ruçin, i cili deklaroi sot në Kongres tërheqjen nga politika.

“Një falënderim fundor për shokun tim të vjetër të armëve që në këto vite më është bërë mësues, vëlla, mik, pjesëtar i familjes time të vogël në gëzime dhe hidhërime dhe në të tëra vitet e kësaj rruge së bashku ka qenë përditë një hije e kujdesshme në krahun tim, Gramoz Ruçit”, tha Rama.

“Nuk jua fsheh se në fundin e atyre takimeve të panumërta kokë më kokë në këto vite, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga legjislatura e re dhe politika aktive pas 30 vitesh shërbimi në PS. Pata ndjesinë e këputjes së krahë. E kuptova në çast se ishte vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe akoma sot nuk e gjej dot si e qysh do të mbushet boshllëku i largimit të tij. Në çdo rast, kur lufta politike është bërë kuti shahu, do t’i kishim humbur me siguri disa prej ndeshjeve më të bukura që kemi bërë në planin strategjik, nëse nuk do të kisha këshillat e tij. Unë se kam merakun për këtë se e di se do të mbetet këshilltari im i besuar, por te boshllëku i madh i një eksperience të pashoqe mes nesh që ai lë pas 30 vitesh në parti. Unë e di që askush nuk është i pazëvendësueshëm, por di që edhe ka njerëz që zëvendësohen me shumë vështirësi dhe duan një kohë të konsiderueshme të zëvendësohen. Kjo është sfidë më vete për mua dhe ne, por duhet ta pranojmë me respekt vendimin e tij dhe të mësojmë se të dish të dalësh nga politika aktive është një art më vete, lus Zotin ta kem edhe unë dhuntinë e këtij arti”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë shumë vitet e punës që kemi ndarë mes nesh dhe kjo e jona është shumë më tepër se punë, por qysh nga dita e zgjedhjes time në PS, 16 vite më parë  nuk ka pasur një vendim të vështirë që nuk e kam pleqëruar me Gramoz Ruçin. Të jam mirënjohës jo vetëm se më ke mbështetur pa kursim në çdo hap, por mbi të gjitha të jam mirënjohës për çdo gabim që nuk më ke lënë të bëjë dhe çdo hov të parakohshëm që ma ke ndalur duke ndihmuar në ushtrimin tejet të vështirë për mua të kalitjes së durimit. Nëse sot durimi është kthyer nga dobësi në forcë, kjo është një pjesë jo e vogël e meritave të tua, pa marrë këtu asnjë meritë të pamohueshme të shoqes tënde dhe të gruas time, Lindës”, tha ai.

“Një fjalë për ata që e dinë Gramozin siç ai nuk është, si enverist, i heshtur, konservator, i mbyllur, personazh me një biçak labërie nën mëngë që imponohet me vetullat e ngrysura dhe me disa dosje misterioze, që rri në majën e parlamentit si Sfinks, pa Facebook, pa Whatsapp, pa Instagram dhe me të cilin më mirë mos të ngatërrohesh. Askush nuk e ka ditur dhe jo më ta qaj ndonjëherë hallin se je marrë 2 herë nga 15 vjet rresht me dy kryetarë njëri me kokë më vete se tjetri. Po mirë dy kryetarët, por askush nuk e ka parë se çfarë ka hequr Gramozi për të vënë në vijë 30 vjet me radhë organizata, asamblera të kësaj familje politike ku halli-hallit dhe mendja-mendjes nuk i ngjan sa herë që loja politike nis e nxehet”, tha Rama.

Rama shtoi se “në celularin pa Whatsapp të Gramozit ka më shumë emra anëtarësh partie se sa ka në listat e anëtarësisë së Ballës”.

“Sikur të mos ishte Fatos Nano që mbante Gramozin dhe Gramozi që më mbante mua, PS do të ishte lëshuar me kohë e me vakt si shallvaret e mia, apo do ishte sot si unë, por kur nuk e kisha bërë stazhin e partisë me mbikëqyrjen e shokut Gramoz”, shtoi ai.

Rama kujtoi 3 fjalët kyçe të Gramozit për suksesin që janë: frymë, organizim, lidership.

“Aato u bënë fiksimi im sa arrita deri në pikën ta kaloj stazhin e Gramozit me aq sukses sa përdor natyrshëm tani dhe fjalën shoku. Gramozi nuk ka qenë vetëm ai që fuste makinerinë në punë pas dy kryetarëve, që për të folur nuk ua ka kaluar dot kush akoma, por ishte ai që të dyve ne na ka dhënë sigurinë dhe mbështetjen për t’i hapur me fjalimet tona shtigjet qeverisëse, politike, organizative të kësaj partie pa na ardhur te dera jonë stuhia e kundërshtive që përballeshin te dera e Gramozit dhe davariteshin po aty”, shtoi Rama.

Ai tha se “sikur të ishin të tërë konservatorët si Gramozi, konfliktet do të kishin mbetur në të shkuarën qysh para shumë kohësh”.

Si pakkush apo mbase si askush tjetër që kam njohur në këtë parti”, Ruçi ka bërë një hap para sa herë është dashur të japë edhe më shumë dhe dy hapa prapa kur ka ardhur rasti për të marrë prej kësaj familjeje. Në kohën e vjetër, kur Gramozi ishte fare i ri ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Në kohën e tanshme kur është në buzën e të 70-ve mund të thuhet, ‘oh sa mirë do të ishte sikur shembulli i tij të ishte rregulli, jo përjashtimi”. Falënderoj nga thellësia e zemrës shokun Gramoz për atë që je për të gjithë socialistët dhe ne këtu tash e 30 vjet dhe sot kur ke vendosur më në fund të nisësh t’ja lash borxhet e rënda familjes tënde të vogël, në emër të PS-së të uroj të na rrosh sa malet shoku Gramoz”, tha Rama.

“PS nuk duhet të kthehet në një kështjellë të rrethuar nga vetvetja”/ Rama: Ky është basti im me historinë

Rama tha se “ne mund të adresojmë në rrugë inovative jokonvenciale një pjesë të problemit dramatik të rrjedhjes jashtë vendit të burimeve cilësore të vendit”.

Kjo, tha ai, “është një sfidë shumë e madhe, por që ja vlen më shumë se sa të gjitha pretendimet e kushërinjve dhe të krushqve të familjes sonë politike”.

“Kjo është sfidë aq e madhe dhe aq e rëndësishme për Shqipërinë që duhet me patjetër t’ja lëmë fëmijëve tanë pa u ndjerë kokulur dhe të turpëruar për atë që u kemi lënë, saqë mandati i tretë le të jetë edhe i fundit po të dojë, nëse mandati i katërt do të varet nga këta arrogantët, parazitët dhe injorantët që futen nëpër zyrat e shtetit me shtytje, nxitje, me mbrojtje, garanci interesash që nga deputetët, tek ministrat dhe deri në nivelet e drejtorëve nëpër territor. Kur të më gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore hajdeni dhe më kërkoni vend për kushërinjtë dhe krushqit tuaj”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “flamuri i PS-së nuk është mbulesa e askujt dhe askush nuk ka të drejtë ta falë lart e poshtë si mbulesë për qoka dhe për punët e shtëpisë së vetë. Ne duhet të jemi shumë të qartë me çdo anëtar të kësaj partie që vjen dhe thotë, ‘dua punë në shtet se kam dhënë këtë e atë’. PS nuk është qëllim është mjet për të arritur qëllimet e kësaj familje të madhe dhe kjo familje e madhe nuk është krijuar dhe as zhvilluar për t’u rrethuar nga vetvetja, duke u kthyer në një kështjellë të papenetrueshme pa porta që hapen e mbyllen normalisht për shumëkënd që do të donte të ishte pjesë e saj, por më keq akoma, që jo vetëm do të donte, por edhe do të meritonte që të ishte pjesë e armatës të shërbëtorëve të shtetit”, shtoi Rama.

Ai tha se “shteti nuk është i Partisë Socialiste, por PS është këtu për të bërë shtetin dhe është e padiskutueshme që ky është një bast i madh”.

Por, vijoi ai, “ky është basti im me historinë”. “Është e padiskutueshme që kjo kërkon një punë kolosale në radhë të parë me veten, pastaj me të tjerët, me fjalë por gjithmonë me vepra, në mënyrë që edhe ajo pjesë e natyrshme e fiziologjisë së brendshme të organizimit të një partie që kërkon fitoren e radhës të garantohet, por jo duke ngrënë pas shpinës së shtetit, por duke i dhënë shtetit një të atillë shtat përpara së cilit çdo shqiptar që e do këtë vend të ecë përpara dhe të mbështesë PS-në”, tha Rama.

PS nuk është zyrë avokatie/ Flamuri i PS-së nuk do të bëhet mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor apo shef që vendoset para drejtësisë të re 

Kryeministri Edi Rama tha sot se “mandati i tretë përputhet në kohë me një kohë të re të drejtësisë në Shqipëri dhe flamuri i PS-së nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor, shef, nëse drejtësia e re do të kërkoj hesap prej tij”.

“E kam thënë edhe më parë sepse e keni parë na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe po e përsëris edhe sot. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë, por mban përgjegjësi për se si reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë, edhe më i prerë: ‘ik, sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd sepse PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit prej nesh, por është garantja, nismëtarja, mbështetja e Reformës në Drejtësi, e institucioneve të reja të drejtësisë dhe është prijësa e luftës për barazi e të gjithëve para ligjit”.

“Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër drejtësisë së vjetër dhe tutorëve të saj është një vijë e kuqe ndarëse jo vetëm mes nesh dhe armiqve të reformës në drejtësi por edhe mes Partisë Socialiste dhe kujtdo brenda nesh që hyn në gjynah me popullin dhe shtetin shqiptar duke abuzuar me detyrën për përfitime të paligjshme”, shtoi ai.

Mandati i tretë/ Fokusi tek kapitali njerëzor shqiptar dhe tek inovacioni teknologjik i Shqipërisë

Rama tha se “portat nga qielli, portat nga deti, infrastrukturat e mëdha rrugore, hekurudhore, energjetike, industria e turizmit, rritja e eksporteve bujqësore, dixhitalizimi i qeverisjes me shërbimet publike, ne do t’i realizojmë gjatë kësaj dekade të re siç jemi zotuar”.

Por, tha ai, “pa e futur në këtë varg të madh reformash dhe punësh, atë pjesë të shqiptarëve që deri më sot është ndjerë e përjashtuar për shkak të mbylljes apo përplasjes së derës në fytyrë kur kërkon një punë, një shërbim të merituar, Shqipëria mund ta rrisë ekonominë më shumë se asnjëherë më parë, por nuk mund të bëhet një shtet që garanton liritë, punën, drejtësinë si një vend anëtar i BE-së”.

“Shqipëria nuk mund të bëhet një shtet që garanton mbrotjen për fëmjët e vetë, por do të mbetet një vend që fëmijët i lë rrugëve dhe kjo për PS-në është sfida e re e madhe morale përballë historisë. Njësoj si e atyre burrave dhe grave që i pamë në ekran kur filloi ky Kongres”, tha Rama.

Ai shtoi se “do të vijojmë me projekte të mëdha stretegjike dhe investime të mëdha të brendshme dhe të jashtme shumë më shumë se në 2 mandatete e para dhe shumë më tepër se në këto 30 vjet, por politika jonë, qeverisja jonë duhet të fokusohet tek kapitali njerëzor shqiptar dhe tek inovacioni teknologjik i Shqipërisë”.

Kjo, tha ai, “duke nisur nga familja, fëmijët, të rinjtë, shkolla, universiteti, duke vazhduar çdo ditë për të hapur në mënyrë domethënëse tregun e ri dixhtal për më të rinjtë në mënyrë që ata hyjnë një treg, se nuk ka rëndësi se ku je, në Kamëz apo në Silicon Valley, je pjesë e këtij tregu duke rritur sistematikisht kapacitetet teknologjike të forcave prodhuese, menaxhuese, ligjzbatuese dhe të forcave mbrojtëse të shtetit dhe vendit tonë”.

/r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.