Programet e nxitjes së punësimit/ Demiraj për ATSH-në: 2596 pjesëmarrës në këto 4 muaj

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Nxitja e punësimit është ndër politikat aktive sociale që po ndikon drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë përgjatë këtyre viteve.

Me 4 programe të dedikuara të papunëve: programi i punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale; programi i vetëpunësimit; programi i punëve publike në komunitet; si dhe programi i punësimit të personave të dalë pa punë si pasojë e COVID-19, punëkërkuesve të papunë u ofrohet mundësi për hyrje në tregun aktiv të punës.

Zyrat e Punësimit ndërhyjnë direkt për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit dhe nëpërmjet subvencionimit të tyre.

Ky shërbim ka në fokus ato grupe që nuk janë në gjendje të gjejnë vetë një punë në sektorin privat.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Elira Demiraj bëri të ditur për ATSH-në programet e punësimit që po zbatohen nëpërmjet shërbimit kombëtar të punësimit, synojnë pikërisht lehtësimin e integrimit të këtyre grupeve të marxhinalizuara në tregun e punës.

Sipas saj, në 4 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2596 pjesëmarrës në programet e nxitje së punësimit. Në vitin 2020 u regjistruan gjithsej 2827 pjesëmarrës.

Rritja e financimit ka mundësuar rritjen e përfituesve dhe rritjen e programeve të punësimit.

Në buxhetin e vitit 2021 janë akorduar 570 milionë lekë për të mbështetur programet e nxitjes së punësimit. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.