Për herë të parë anëtare e Këshillit të Sigurimit/ Ish-ambasadori Aliçka për ATSH: Shqipëria pjesë e vendimeve globale

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe UNESCO, Ylljet Aliçka e konsideron arritje të dyfishtë zgjedhjen e Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në një prononcim për ATSH, Aliçka shprehet se “zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është arritje e dyfishtë, nga një anë është arritje falë lobimit efikas të palës shqiptare për t’u zgjedhur për herë të parë në historinë e kësaj organizate botërore”.

Falë përpjekjeve dhe lobimit, thekson ai, është arritur që Shqipëria të bëhet anëtare për dy vjet e Këshillit të Sigurimit.

Gjithashtu, ish-diplomati shprehet se zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është edhe falë mekanizmave apo standardeve që ka OKB, siç është parimi i barazisë.

Sipas tij, çdo vend që dëshmon respektin e standardeve dhe parimeve të OKB është kandidat për t’u zgjedhur në Këshillin e Sigurimit.

Në prononcimin për ATSH, ish-ambasadori Aliçka nënvizon rëndësinë që ka të jesh anëtar në Këshillin e Sigurisë.

Sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në afirmimin e vendit në nivel botëror.

“Përveç aspektit të reputacionit ose njohjes së imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ku bëhesh pjesë të paktën për dy vjet, ke mundësi jo vetëm të japësh mendime, por edhe që të votosh për vendime të nivelit global”, thekson ai.

Sipas tij, duke qenë anëtar i Këshillit të Sigurimit, krijohen hapësira, nëpërmjet një diplomacie kompromisi, për interesat e çështjes kombëtare.

Në terma praktike, shton Aliçka, është një moment, i cili po të shfrytëzohet me efikasitet nga pala shqiptare, përkthehet në atë që quhet kompromise diplomatike për çështjen shqiptare, por sidomos për çështjen e Kosovës.

Ish-ambasadori në UNESCO deklaron se “sfida kryesore është çështja e Kosovës, afirmimi dhe njohja e saj nga shumë vende të OKB-së”.

Gjithashtu, ish-ambasadori shqiptar në Francë nënvizon se zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, nuk ka vetëm anë formale si çështja e reputacionit apo imazhit të Shqipërisë në rang global, por mbi të gjitha krijon potenciale, ka hapësira për t’u shfrytëzuar në favor të çështjes kombëtare rast pas rasti.

“Është po i njëjti parim si me UNESCO-n ku qenia në Komitetin Ekzekutiv të UNESCO-s është përkthyer në vendime të caktuara që merrte kjo organizatë”, argumenton Aliçka.

“Pra, ke një votë shumë të rëndësishme që pavarësisht se nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me interesat e Shqipërisë, që po ta dish ta përkthesh e kushtëzosh me delegacione të ndryshme, e kthen në favor të çështjes kombëtare, sidomos në çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës”, deklaron Aliçka për ATSH.

Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, e votuar nga 175 vende anëtare, konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për vendin tonë.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së.

Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarët aktualë: Estoni, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizi dhe Vietnam. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. /k.s/ /a.g/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.