Krujë/ Mbyllet faza e parë e restaurimit të Kullës së Sahatit

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Në qytetin e Krujës vijon puna për restaurimin e Kullës së Sahatit, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi bën të ditur se “deri më tani është mbyllur faza e parë e projektit, me ndërhyrjet pajantuese dhe emergjente”.
Sipas tij, javën që vjen, po në Kalanë e Krujës do nisë aksioni për lirimin e hapësirave publike, në kuadër të angazhimit kombëtar për të çliruar zonat e mbrojtura dhe monumentale.
Projekti për restaurimin e kullës është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo ndërhyrje është mbështetur financiarisht nga “Prince Claus Fund for Culture and Development”. Ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tre hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit.
Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu./k.s//a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.