Komunat gati për vaksinimin masiv, MSh angazhon 422 infermierë shtesë

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Krahas kryeqytetit përgatitjet e nevojshme për fillim të procesit të vaksinimit masiv janë bërë edhe në komunën e Mitrovicës Jugore.

Mjekja Shefkate Sylejmani, shefe e sektorit të vaksinimit në Mitrovicë, thotë se me 12 ekipet sa i kanë në dispozicion do t’ia dalin. Sylejmani thotë se aktualisht janë të pajisur vetëm me tipin e vaksinë antikovid, Pfizer.

Shefja e sektorit të vaksinimit në Mitrovicën Jugore thotë se brenda ditës po vaksinohen deri në 200 persona.

“Jemi munduar maksimalisht që t’i bëjmë përgatitjet për nisjen e vaksinimit në masë. Mendojmë se me 12 ekipe do t’ia dalim. Pjesën teknike veç kemi arritur ta rregullojmë, vaksinimi bëhet këtu në Qendrën e Kulturës, ku ambienti është i përshtatshëm. Aktualisht kemi vaksina sa kemi kërkuar, do të thotë për pesë ditë. Zakonisht 200 (vaksina) marrim brenda një dite, do të thotë gjithsej 1 mijë vaksina, nuk marrim më tepër. Nga Ministria e Shëndetësisë jemi njoftuar që përmes platformës E– Kosova, prej moshës 18 vjeçare mund të aplikojnë të gjithë personat që kanë sëmundje kronike. Momentalisht kemi vaksinën e Pfizer-it”, u shpreh ajo.

Përgatitje të hapësirës por edhe stafit për të nisur vaksinimi masiv ka bërë edhe Prizreni. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Narqize Hoxhaj deklaroi se edhe kjo komunë tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë fazë të vaksinimit.

Ajo thotë se krahas 8 ekipeve mjekësore po planifikojnë të rrisin kapacitetet mjekësore deri në 18 njësi me qëllim që të ofrohen shërbime sa më të mira.

Hoxhaj tutje deklaroi se edhe vaksinimi masiv në Prizren do të realizohet në sallën e sporteve “Sezai Surroi”, pasi që konsideron se është hapësira më e favorshme për këtë proces.

“Vaksinimi është duke vazhduar tash e disa muaj, pritet të bëhet vaksinimi masiv i qytetarëve të Prizrenit. Ne jemi të përgatitur për këtë vaksinim. I kemi ekipet e vaksinimit të cilat janë profesionistët të trajnuar dhe për momentin kemi 8 ekipe që janë duke e kryer vaksinimin dhe një ekip dhe katër infermierë. Planifikohet që në të ardhmen të bëhet 18 ekipe të vaksinimit, kështu që besoj që do të kryejmë me sukses sikurse deri tani. Vaksinimi është duke u kryer në Qendrën Sportive ‘Sezai Surroi’ dhe aty do vazhdojmë të kryhet vaksinim, besojmë që është mjaft hapësirë e madhe dhe i plotëson të gjitha kushtet dhe për momentin është hapësira më e mëdhe për komunën e Prizrenit”, tha ajo.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë ka përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, ndërsa parashihen edhe 190 specializantë në proces të vaksinimit.

“Në kuadër të Planit të Veprimit parashihet rritja e kapaciteteve në resurse humane, që nënkupton rritjen e ekipeve të vaksinimit nga 89 sa janë aktualisht në 279, është përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, do të angazhohen edhe 190 specializantë në vaksinim, janë siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për stafin. Vaksina janë siguruar aktualisht dhe pritet ardhja edhe vaksinave të tjera, është ndërtuar Moduli i vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor si dhe janë shtuar hapësirat e reja të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës. Gjithashtu, janë kryer edhe përgatitje të tjera logjistike që procesi të nis javën tjetër”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e MSh-së.

Në bazë të kësaj shkrese për KosovaPress, MSh ka njoftuar se ashtu siç është paraparë në Plani Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 me vaksinimin masiv krahas moshës mbi 65 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, planifikohet edhe vaksinimi i mësimdhënësve dhe shërbyesit e sigurisë.

“Sa u përket kategorive, ato janë të përcaktuara në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 ku në fazën e dytë është duke u bërë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç,  personave me sëmundje kronike, për të vazhduar më pastaj me mësimdhënësit, shërbimet e sigurisë që janë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 dhe pastaj me kategoritë e radhës sipas fazën tjetër (fazës III)”, deklaroi MSh.

Deri tani në Kosovë janë vaksinuar mbi 92 mijë qytetarë të moshës mbi 65 vjeç. Ndërsa, aktualisht Kosova është duke bërë shpërndarjen e vaksinave të llojit Pfizer dhe AstraZeneca të pranuara donacion nga COVAX-i.

Gjatë javëve të fundit ka rënë ndjeshëm numri i rasteve pozitive, si dhe numri i vdekjeve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.