“Gati për Shqipërinë”/ Rama bashkëbisedim me aplikantët: Do hapim një segment të administratës për nëpunës publikë digjitalë


TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e dytë të bashkëbisedimit me të rinjtë e përzgjedhur të nismës “Gati për Shqipërinë”.

“Është kënaqësi dhe frymëzim bashkëbisedimi me aplikantët e shumtë plot talent dhe seriozitet për nismën “Gati për Shqipërinë”. Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta. Ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën [email protected]”, – theksoi Rama.

Një e re tha se, “jetoj në Paris ku kam kryer masterin në Ekonomi dhe doktoraturën në Makroekonomi. Kam një eksperiencë 5-vjeçare në mësimdhënie në një universitet në Paris. Mund të jap kontribut në fushën e arsimit”.

Kryeministri Rama tha se “ky është prezantimi që na duhet”.

Gentian Liko që jeton në SHBA ofroi eksperiencën e tij në fushën e infrastrukturës në Shqipëri. “Jam menaxher projektesh në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Jam i specializuar në këtë degë me master shkencor në Amerikë. Momentalisht ushtroj profesionin tim në Nju-Jork, por jam i gatshëm të bëhem pjesë e strukturave menaxheriale, për projekte madhore në fushën e infrastrukturës në Shqipëri”, – tha Liko.

Ndërsa Igli Doraci u shpreh se, “kam studiuar ekonomi në Universitetin Katolik të Milanos. Punoj në agjencinë e zhvillimit në Itali. Ideja ime është të krijojmë një shkëmbim eksperiencash nëpërmjet agjencisë italiane dhe asaj shqiptare AIDA”.

Fiona Beqiri që jeton e punon në Londër propozoi krijimin e një kampusi inovativ.

“Quhem Fiona Beqiri, jetoj dhe punoj në Londër ku jam diplomuar në Financë në nivelin master. Kam kryer studime të avancuara në lidership, inovacion dhe teknologji në Universitetin e Harvardit. Propozoj krijimin e një kampusi inovativ, i cili mund të jetë një produkt i përbashkët mes akademikëve dhe ministrisë së Sipërmarrjes”, – tha ajo.

Pjesë e të rinjve të përzgjedhur të nismës “Gati për Shqipërinë” është edhe një i ri francez.

“Jam i kualifikuar me një master në fushën e logjistikës në Francë. Më pas kam punuar disa vite në Shqipëri. Fakti që kam një eksperiencë logjistike më lidh më shumë me fushën e transportit, kështu që me zhvillimin e territorit, me politikat e transportit, të atij publik, mund të jenë aeroportet”, – theksoi ai.

Aida Salko shprehu gatishmërinë për të kontribuar në fushën e aplikimit të metodave kryesore të kërkimit shkencor në fushën e financës dhe vlerësimit të riskut.

“Kam mbaruar studimet në nivel master shkencor pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Lubjanës në Slloveni në degën e parasë dhe financës. Fusha ime e kërkimit lidhet me zhvillimin dhe aplikimin e metodave të inteligjencës artificiale, në fushën e financës dhe sistemeve bankare. Jam e gatshme për të kontribuar në fushën e aplikimit të metodave kryesore të kërkimit shkencor në fushën e financës dhe vlerësimit të riskut, gjithmonë në kuadër të zhvillimit të politikave ekonomike dhe financiare në vendin tonë”, – tha Salko.

Gentiana Agushi tha se “jetoj, banoj në Bruklin, Nju-Jork, kam studiuar për administrim-biznes. Kam kryer edhe studimet për financë ekonomike, kam 5 vjet që punoj. Gjithmonë kam dashur të punoj për vendin tim”.

Kryeministri Rama theksoi se “ne jemi duke menduar për një reformë, e cila të na japë mundësinë që ata të cilët, siç është rasti i Genatianës që e shprehu shumë troç që duan të kontribuojnë në mënyrë sistematike, jo thjeshtë për një projekt, por nuk duan të vijnë në Shqipëri, të hapim një segment të administratës sonë të lartë për nëpunës publikë digjitalë, që punojnë nga shtëpia”.

Alban Biçaku, i cili punon në Arabinë Saudite si kapiten në aviacion, tha se “jam i gatshëm të ndihmoj në fushën e aviacionit”.

Kreu i qeverisë i tha Biçakut se “je shumë i dëshiruar që të vish sepse është një fushë dhe profil që kemi mangësira të mëdha. Sa të të gjejmë aeroplan si fillim do të përfshihesh në punët e aviacionit edhe një vend pune në një aeroplan ta gjejmë, por mbase na vlen më shumë të rrish në tokë disa kohë”.

E reja Ani Kollozi tha se “kam përfunduar studimet e larta në Paris, ndërsa studimet universitare i kam ndjekur në Paris dhe Londër. Nëse do të isha pjesë e programit tuaj do të isha e lumtur të kontribuoja me të gjithë eksperiencën time”.

Kryeministri Rama u shpreh se “e shikoj që e ke me shumë pasion dhe të hënën bashkë me ministrin do ta vlerësoni bashkërisht se ku është vendi i duhur për ty për të hyrë në proces”.

Elisabeta Tefiku u shpreh se “kam studiuar bachelor dhe master në Genova. Për momentin punoj për agjencinë ndërkombëtare Philips, bëj pjesë në ekipin teknik, ku japim mbështetje për spitalet në të gjithë botën. Do të doja të jepja kontributin tim në fushën mjekësore në Shqipëri”.

Kryeministri Rama tha se “direkt të komunikoni me ministren e Shëndetësisë që është shumë e lumtur duke të dëgjuar”.

Pas i dëgjoi të gjithë aplikantët kreu i qeverisë u tha aplikantëve se “do të keni takime të ngushta, me një numër më të vogël, me ministrat përkatës për t’i shtjelluar gjërat, për të kuptuar më mirë se ku mund të drejtoheni”.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.