Durrës/ Ndërtuan pa leje dhe zaptuan bregdetin, arrestohen dy shtetas

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Dy shtetas u arrestuan sot nga Policia e Durrësit pas aksionit për lirimin e hapësirave publike të zaptuara pa leje dhe ndërtimin pa leje në bregdet.

Sipas policisë u arrestua P. M., 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë në fushën e narkotikëve, i cili në vendin e quajtur “Plazhi Sektor Rinia”, Durrës, në bregdet ka ndërtuar një objekt (lokal) pa leje me qëllim përfitimi.

Po ashtu u arrestua A. P., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 15, Porto Romano, kishte ndërtuar me dërrasa një objekt si dhe kishte zënë me shezlongë një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve kompetente.

Të dy këta shtetas akuzohen për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Pushtim toke”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit është e vendosur në parandalimin e krimeve mjedisore dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të mos kryejnë asnjë ndërtim ose veprim pa lejen e organeve kompetente. Gjithashtu fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.