Zëdhënësi i DASH: Mbështesim hapjen pa vonesë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ SHBA mbështesin hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price thekson angazhimin e SHBA-së në nivelet më të larta të qeverisë.

“Ne mbështesim hapjen pa vonesë të negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne po angazhohemi në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugën e integrimit europian të vendeve aspirante”, deklaron zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Reagimi i zëdhënësit Price erdhi teksa në Tiranë u mbajt samiti i krerëve të Ballkanit Perëndimor me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.