Sulmohet me lëndë eksplozive biznesi i deputetit Lefter Koka në Durrës

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak.

Sikurse raportojnë mediet, biznesi që është sulmuar me eksploziv është në pronësi të deputetit Lefter Koka në Durrës.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Në vijimësi të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë dhe shtetasi B. Z., 34 vjeç, banues në Shetaj, Durrës, menaxher i lokalit në pronësi të shtetasit G. M., pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një karikator me 7 fishekë luftarakë.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe vëllai i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në Shijak iu gjet një sasi vere me logon e një subjekti tjetër, veprime këto që bien ndesh me vendimin e gjykatës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit G. M., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”; në ngarkim të shtetasit B. Z., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit “dhe në ngarkim të shtetasit A. M. për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.