Shqipëria në Këshillin e Sigurimit pas 65 vjetësh në OKB/ Xhaçka: Ngjarje e jashtëzakonshme

TIRANË, 11 qershor /ATSH – I. Vata/ Shqipëria u zgjodh sot anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se fakti se Shqipëria nuk e ka patur këtë mundësi në gjithë këto dekada, ilustron më së miri se çfarë përmasash të jashtëzakonshme ka kjo ngjarje për Shqipërinë, për politikën e saj të jashtme, për diplomacinë e saj.

“Patjetër që jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë çfarë mund të arrijmë ne në Këshillin e Sigurimit në këtë tryezë kaq të rëndësishme të vendimmarrjes globale për sa i takon paqes dhe sigurisë, po patjetër nuk ka pse të mos jemi ambiciozë dhe optimistë që me një plan të mirë pune, me strategji dhe me objektiva të qarta, por dhe me një përgatitje shumë të mirë të ekipit që do të na përfaqësojë në këtë mundësi të jashtëzakonshme ne mund të arrijmë shumë duke kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve për disa problematika globale, jo thjesht kombëtare apo rajonale”, tha ajo.

Në lidhje me pyetjen se Këshilli i Sigurimit vazhdon të diskutojë rregullisht për Kosovën, çfarë qëndrimi pritet nga Shqipëria rreth kësaj çështjeje si anëtare e këtij Këshilli, Xhaçka tha se, “çështja e Kosovës, e konsolidimit dhe e rritjes së numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës është objektiv strategjik dhe me interes madhor i Shqipërisë dhe i politikës së jashtme të Shqipërisë”.

“Shteti shqiptar ka kontribuuar në arenën ndërkombëtare që ky objektiv strategjik të realizohet dhe pavarësia e Kosovës është jo vetëm interes kombëtar, po është kontribut i qenësishëm për paqen dhe sigurinë për stabilitetin e rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor. Ky qëndrim i Shqipërisë patjetër do mbetet i pandryshuar, dhe jo vetëm tani por edhe gjatë dy viteve të pjesëmarrjes së Shqipërisë në KS”, tha Xhaçka.

“Dhe dua ta them se Shqipëria dhe ne do të bëjmë çmos që çështja e Kosovës të rivihet në vëmendje të KS të Kombeve të Bashkuara dhe do të jetë, patjetër një prioritet i rëndësishëm që avancon paqen dhe sigurinë. Ne mbështesim fuqimisht dialogun Kosovë- Serbi, një proces i cili është i mbështetur edhe nga BE edhe nga SHBA, sepse përfundimi me sukses i këtij dialogu do të mbyllte një nga dosjet më të vështira dhe më tragjike në Ballkanin Perëndimor, por do t’i hapë rrugën edhe avancimit të integrimit europian për Kosovën dhe Serbinë dhe patjetër do të ishte edhe kyç i pavarësisë së Kosovës dhe hapja e rrugës së saj për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara”, theksoi ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.