Sejko: Kredia për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, mekanizëm i shtuar sigurie

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD), për ofrimin një linjë kredie prej 100 milionë eurosh, që do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Guvernatori shprehet se sistemi financiar shqiptar paraqitet likuid dhe i mirëkapitalizuar, megjithatë forcimi i kapaciteteve të skemave të sigurimit është një vlerë e shtuar, duke lejuar rritjen e nivelit të mbrojtjes të depozituesve. Ai e vlerësoi këtë linjë kredie si një mekanizëm të shtuar sigurie për sistemin financiar e bankar në vend.

Guvernatori Sejko falënderon dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe e fton të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria, sipas një njoftimi për shtyp.

ASD-ja u themelua në vitin 2002 si një institucion publik i pavarur. Misioni i saj është të mbrojë depozituesit individualë dhe të paguajë për depozitat e siguruara, në rast falimenti të bankave, me një objektiv gjithëpërfshirës për të rritur stabilitetin në sistemin bankar dhe financiar në Shqipëri.

BERZH-i e ka mbështetur institucionin me financim dhe asistencë teknike për herë të parë në vitin 2013. Ai është një investitor institucional lider, me mbi 1.5 miliardë euro të investuara në 112 projekte, në vendin tonë.

Huaja e garantuar plotësisht nga qeveria shqiptare do të ofrojë likuiditetin e nevojshëm për të adresuar pasojat potenciale të pandemisë COVID-19 në ekonomi. Fondet do të jenë të disponueshme, nëse do lindë nevoja, për të kompensuar depozituesit e siguruar nga ASD-ja dhe për ruajtur besimin e klientëve të bankave private dhe tregtare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.