Rregullorja e Kuvendit për raportimin e gazetarëve/ Gjonçaj takim me reporterët

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj zhvilloi sot një bashkëbisedim me gazetarët që mbulojnë Kuvendin në përgjigje të shqetësimeve të tyre për sistemin e ri audio-video të instaluar në Kuvend.

Gjonçaj u shpreh se, në takimin e sotëm bashkëbisedues, sqarues, informues do mbajë shënim të gjithë kërkesat e gazetarëve dhe më pas do ia paraqesë Kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë.

Ai theksoi se, “prej vitesh komisionet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë kanë pasur mangësi në regjistrimin dhe dokumentimin e mbledhjeve. Vetëm katër nga tetë komisionet e përhershme parlamentare kanë qenë të pajisura me mikrofona statikë dhe sistem regjistrimi të mbledhjeve. Sistemet e regjistrimit në katër komisione kanë qenë me teknologji të vjetruar, ndërsa komisionet të cilat nuk ishin të pajisura me sistem audio, i regjistronin mbledhjet nëpërmjet diktofonëve, proces që ka shfaqur jo pak herë probleme për zbardhjen e mbledhjeve, për shkak të cilësisë së dobët të regjistrimit”.

“Gjithashtu, prania e kamerave të shumta në korridoret e Kuvendit dhe komisionet parlamentare krijonte vështirësi për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e mbledhjes për shkak të ambienteve shumë të vogla të sallave ku zhvillohen mbledhjet, por edhe kalimi i kabllove, nëpër dritaret e komisioneve gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, ka qenë i vështirë”, theksoi ai.

Gjonçaj shtoi se “rekomandimet e progresraporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë të viteve 2013-2014 si dhe raportet e projektit IPA 2013 theksojnë nevojën e rritjes së transparencës dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin legjislativ, si edhe përmirësimit të informimit të publikut mbi aktivitetet parlamentare dhe dokumentacionin parlamentar.

Në veçanti, Raportet e projektit IPA 2013 theksojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk disponon një platformë të unifikuar, që mundëson komunikimin efektiv në format audio-video nga sallat e komisioneve parlamentare dhe se mungesa e një sistemi audio-video në mjediset e Kuvendit është një pengesë serioze, për të siguruar transparencë të plotë të punës në komisionet parlamentare dhe në organet e tjera të Kuvendit”.

Ai nënvizoi se, “nisur nga këto problematika, me qëllim rritjen e transparencës së mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive parlamentare, por dhe nevojës së fuqizimit të procesit legjislativ përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, Kuvendi vendosi të ndërtojë një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare”.

“Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë,  dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri”, tha ai.

Gjonçaj shtoi se, “sistemi audio-video është instaluar vetëm në sallat e komisioneve parlamentare, ndërsa seancat plenare do të vazhdojnë të transmetohen si më parë, pa asnjë ndryshim”.

“Sistemi audio-video nuk është një model i krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, por një model informimi që zbatohet në Parlamentin Europian, si edhe në mjaft parlamente të vendeve të BE-së, si: Suedi, Francë, Angli, Austri, Estoni, Gjermani, Finlandë, etj.”, tha ai.

“Sistemi i ri nuk i pengon gazetarët të hyjnë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Ndërhyrjet në Rregulloren e Kuvendit dhe në Rregulloren e Masmedias nuk shtojnë asnjë ndalesë të re lidhur me hapësirat e lejuara për punonjësit e akredituar të medias, krahasuar me rregulloren e mëparshme”, shtoi Gjonçaj.

Ai theksoi se, “në Rregulloren e re, përveç “News room-it”, parashikohet vënia në dispozicion të gazetarëve edhe e disa mjediseve të tjera”.

Gjonçaj shtoi se, “teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë. Në “News room-in” e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve”.

Lidhur me shqetësimin për trajtimin e diferencuar të RTSH-së dhe ATSH-së, Gjonçaj tha se, “ju informojmë se kjo pikë nuk ka ndryshuar aspak në krahasim me Rregulloren e mëparshme të akreditimit të  Masmedias, pasi ka qenë e parashikuar edhe aty po njësoj, statusi i veçantë që gëzojnë RTSH dhe ATSH në lëvizjen në sallën e seancave plenare, sipas përcaktimit  në Vendimin e Byrosë nr. 30, datë 10.04.2015 për miratimin e Rregullores “Për hyrjen në selinë dhe sallën e seancave plenare të Kuvendit”. Pra, nuk ka asnjë diferencim të gazetarëve të RTSH dhe ATSH në raport me gazetarët e tjerë, përsa i takon lëvizjeve në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, por i vetmi diferencim është sikurse ka qenë edhe në Rregulloren e mëparshme, vetëm për në sallën e seancave plenare dhe kjo përsa i takon transmetimit të plotë të seancës në RTSH Kuvend”.

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, u shpreh se, “ne nuk e kemi pakënaqësinë me sistemin audio-viziv, efekti i kësaj që po ndodh është i arsyeshëm sepse prishet një stereotip profesional prej gati 30 vitesh. Ne kemi kaluar vite dhe kemi kaluar në kategori të ndryshme profesionale nga reporteri, tek redaktori, dhe mendoj se duhet të kishte një konsulencë. Do duhej të kishte konsulencë dhe takim me editorin shqiptar, atë të medieve audiovizive dhe medieve online. Së dyti, me regjisorët e lajmeve dhe me reporterët dhe operatorët”.

“Një nga skepticizmat më të mëdha ka të bëjë me mënyrën sesi do të raportohet për mbledhjet e komisioneve parlamentare. E kuptojmë sistemin sesi do të funksionojë, por në detyrën tonë është i rëndësishëm imazhi dhe detaji. Kamerat tuaja do të jenë fikse, pavarësisht mbulimit dhe prezencës në të gjithë sallën”, tha Çipa.

Gazetarët kërkuan që në mbledhjen e komisioneve të jetë i pranishëm gazetari.

Gjithashtu ata patën edhe kundërshti me numrin e posteve që janë përcaktuar nga gazetarët.

Gazetarët kërkuan që me kërkesë drejtuar zyrës së shtypit mund të futen me kamera të marrin pamje.

Gazetarët kërkuan që të kenë me vete aparatin celular në mbledhjet e Komisioneve.

Gazetarët kërkuan gjithashtu që në ambientet e Kuvendit të mos shoqërohen nga Garda e Republikës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.