Rishpallen vendet vakante për kryetar dhe 3 anëtarë të AMA-s  

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kuvendi njoftoi sot për rishpalljen e vendit vakant për kryetar të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 24 maj shqyrtoi kandidaturat e paraqitura për Kryetar të AMA-s.

Pas shqyrtimit rezultoi se asnjëra prej kandidaturave të paraqitura nuk plotëson kriterin e përvojës së punës sipas përcaktimeve të ligjit “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, vendosi rishpalljen e vendit vakant të Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Çdo shtetas që plotëson kushtet e ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, mund të paraqitet si kandidat për Kryetar të AMA-s. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar.

Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon 20 ditë nga data e publikimit të këtij vendimi, thekson Komisioni.

Gjithashtu Kuvendi njoftoi edhe rishpalljen e 3 (tre) vendeve vakante për anëtarë të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 24 maj, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të 3 anëtarëve të AMA-s, mbështetur në ligjin “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar” vendosi rishpalljen e 3 (tre) vendeve vakante për anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Komisioni vendosi të ftojë për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive, subjektet e mëposhtme: shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike; shoqatat e medias së shkruar; profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë; organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike, ose përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.

Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon 20 ditë nga data e publikimit të këtij vendimi, thekson Komisioni.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.