Princesha Amalia e Holandës në universitet… pa 1,6 milionë euro para xhepi

AMSTERDAM, 11 qershor /ATSH-DPA/ – Princesha holandeze e Kurorës, Amalia ka vendosur të heqë dorë nga ndihma e saj financiare vjetore prej 1,6 milionë eurosh (1,9 milionë dollarë) ndërsa është në universitet, njoftoi sot kryeministri Mark Rutte.

“Më duket e pakëndshme për sa kohë që kam pak për të ofruar dhe kur studentët e tjerë e kanë shumë më të vështirë, veçanërisht gjatë kësaj kohe të pasigurt të COVID-19”, i shkruajti Amalia kryeministrit.

Princesha e Kurorës mbush 18 vjeç në dhjetor, mosha ligjore në Holandë, që do të thotë se ajo do të ketë të drejtë për të ardhura vjetore prej rreth 300 000 eurosh dhe një ndihmë për shpenzime prej rreth 1,3 milionë euro, pa taksa.

Shumë holandezë u shprehën të zemëruar për shtesën e ndihmës, që paguhet me të ardhurat nga taksat, me disa ligjvënës që gjithashtu e konsiderojnë shumën të paarsyeshme.

Amalia u diplomua nga shkolla e mesme të enjten, por ende nuk ka treguar se cilën fushë studimi do të ndjekë në universitet, pasi po planifikon të udhëtojë dhe të bëjë praktika si fillim./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.