Paga mesatare mujore u rrit me 5,2 %/ INSTAT: Profesionet elementare rritjen më të madhe

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2021 është 56.019 lekë, duke u rritur me 5,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

INSTAT publikoi sot raportin mbi pagat në vend.

Referuar raportit, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë të 2021-t, paga për punëtorët (profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 7,8 %, ndërsa për ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka një rritje më të vogël, prej 2,2 %.

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto, për ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë është 72,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.