Mbërrijnë 25 mijë vaksina Sputnik, Manastirliu: Ulim fashën e vaksinimit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Kanë mbërritur sot në Shqipëri 25 mijë doza të vaksinës “Sputnik”, për të vijuar procesin e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Instituti i Shëndetit Publik, ku u krye administrimi i dozave të vaksinave “Sputnik”, deklaroi se deri tani janë mbi 936 mijë vaksina të mbërritura në vend.

“Me ardhjen e 25 mijë vaksinave ‘Sputnik’ ne arrijmë në totalin e vaksinave të mbërritura mbi 936 mijë vaksina nga kontratat tashmë të lidhura nga qeveria shqiptare. 823 mijë vaksina janë administruar në total për sa i përket grupeve të popullatës, por gjithashtu edhe grupeve të riskuara, në bazë të planit tonë të kombinuar të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se do të vijojmë me planin kombëtar të vaksinimit, Manastirliu tha se do të ulet fasha e vaksinimit.

“Tashmë jemi gati për të ulur fashën e vaksinimit, duke e filluar nga +59 vjeç, +58, +57 vjeç. Ndaj ftojmë të gjithë qytetarët që të aplikojnë në portalin e-Albania për t’u bërë pjesë e vijimit të kalendarit të vaksinimit, gjithashtu të kontaktojnë drejtpërdrejt me mjekun e familjes për të marrë datën e vaksinimit”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për situatën e kontrolluar epidemiologjike, Manastirliu bëri sërish apel qytetarëve për të vijuar të kenë kujdes dhe të respektojnë protokollet shëndetësore të vendosura edhe gjatë sezonit turistik.

“Edhe pse aktualisht në vend kemi rreth 190 raste pozitive aktive dhe rreth 20 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv që po trajtohen me kujdes maksimal nga mjekët, duhet të vijojmë që të kemi sërish vigjilencë të shtuar dhe kujdes në zbatimin e protokolleve shëndetësore, edhe gjatë këtij sezoni, pra gjatë sezonit turistik”, apeloi Manastirliu.

Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 823,053 doza të vaksinave antikovid. Prej tyre 324,616 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.