Luleshtrydhet eksportohen për përpunim industrial në tregje ndërkombëtare

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Pasi ka rreth katër muaj që luleshtrydhja e prodhuar në tregun shqiptar nisi të shitet në tregjet europiane me çmime mjaft të larta, duke konkurruar fort vende prodhuese me traditë, këto ditë të fundit po grumbullohet çka mbetur në serra.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bëri të ditur se kjo sasi e prodhimit në fund të sezonit po eksportohet për përpunim industrial, ndërsa çmimi mbetet ende i favorshëm për fermerët.

“Luleshtrydhet po eksportohen për përpunim industrial në tregje ndërkombëtare dhe fermerëve në fund të sezonit i është grumbulluar dje me 70 lekë/kg”, tha Krifca.

Tregu i luleshtrydhes, dikur i furnizuar gati 90 % nga importi, sot është shndërruar në potencial për eksport në vendet e BE-së dhe përtej.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Falë politikave mbështetëse të qeverisë eksportet e produkteve bujqësore janë katërfishuar.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.