Kampionati Europian/ Ndeshja e parë Itali-Turqi përfundon 3:0

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Italia e ka nisur me triumf 3-0 ndaj Turqisë në “Olimpico” të Romës Kampionatin Europian të Futbollit, duke marrë tre pikët e para në grupin A, ku janë favoritët absolutë për të kaluar në raundin tjetër.

Një duel i dominuar prej Italisë, që mund të kishte shënuar në pjesën e parë me Insigne dhe Chiellini, por Çakir i Turqisë nuk e lejoi diçka të tillë. Në fund protagonist ishte edhe arbitri Danny Makkelie, i cili nuk akordoi një penallti në minutën e fundit të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtën tablo, me Italinë që kërkonte me ngulm golin e epërsisë dhe e gjeti me një ndihmë të vogël.

Demiral devijoi një top në zonë dhe e çoi në portën e mbrojtur nga Çakir. Festë e madhe në stadium, Italia në epërsi dhe duhej edhe goli i dytë. Protagonistë Spinazzola dhe Immobile, me këtë të fundit që nuk fali brenda zonës dhe shënoi.

E gjithë mbrëmja ishte e Italisë. Pas një gabimi në pasim të portierit Çakir, “Axurrët” shënuan edhe golin e tretë. Sërish një sulmues, Insigne, i cili nuk fali. 3-0 dhe praktikisht gjithçka ishte e mbyllur dhe ashtu rezultoi, pasi deri në fund nuk pati gol tjetër.

Italia vijon të thellojë rekordin, me 28 ndeshje pa humbje në arenën ndërkombëtare. Humbjen e fundit ua ka shkaktuar Portugalia në shtator të vitit 2018.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.