Jastëk special për foshnjat

GAZINTEP, 11 qershor /ATSH-AA/ – Një sipërmarrëse në provincën juglindore Gaziantep të Turqisë ka dizajnuar një jastëk për foshnja që integron “zhurmën e bardhë” me zërin në mitrën e nënës.

Pervin Ozovaci synon të prezantojë në botë produktin e saj, të quajtur “Zëri i paqes”, me mbështetjen e Qendrës Rajonale të Projektimit Industrial dhe Modelimit Hibrid në Gaziantep (GETHAM).

Ozovaci filloi karrierën e saj pas moshës 40 vjeçe dhe themeloi studion e saj të dizajnit në vitin 2001.

Gjatë vitit të kaluar, ajo ka kryer studime që do t’u mundësojnë foshnjave të flenë më qetë.

Si pjesë e studimeve të saj, Ozovaci krijoi softuerin e quajtur “Elixir Voice”, i cili përfshin kombinime të “zhurmës së bardhë” dhe tingullit në barkun e nënës dhe vendosi pajisjen e softuerit në jastëkun e prodhuar për foshnja.

Me projektin e saj “Zëri i paqes”, ajo ka aplikuar në Programin e Përshpejtimit të Fillimit të Biznesit (SAP), i realizuar nga bashkëpunimi i Agjencisë Gjermane të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (GIZ) dhe GETHAM-it.

Ozovaci, e cila ka hedhur në shitje jastëkët brenda vendit, ka bërë gjithashtu përpjekje për të tërhequr kërkesa nga jashtë për produktin e saj.

“Ne synojmë të prezantojmë produktin tonë në botë. Gjithashtu kemi bërë përpjekje për të vendosur lidhje në Britaninë dhe SHBA-në. Besoj se do të krijojmë një markë të mirë nga Gaziantepi”, theksoi ajo.

“Foshnjat te të cilat e kemi testuar këtë pajisje kanë fjetur shumë qetësisht. Kemi parë që problemi i gjumit të foshnjave është zgjidhur në një masë të madhe. Qëllimi ynë i ardhshëm është të hapemi për botën”, shtoi Ozovaci./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.